FRESSH, Presidentit: Mos dekreto ligjin e plehrave!
Organizata e të rinjve socialistë të Tiranës, i kërkoi publikisht Presidentit të Republikës të mos dekretojë këtë ligj për të evituar kthimin e Shqipërisë në koshin rajonal të mbeturinave, pa përjashtuar dhe mbetjet toksike. FRESSH i Tiranës organizoi sot protestën e parë në kundërshtim të hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 10.463 Për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i njohur ndryshe edhe si ligji për importimin e plehrave, meqë nesër datë 8 tetor 2011, përfundon afati kushtetues në dispozicion të Presidentit të Republikës për të shprehur qëndrimin e këtij institucioni në lidhje me këtë ligj.
“Mos e Dekreto ishte mesazhi i protestës së sotme, duke synuar t’i bëjë thirrje z. President të mos lejojë që mafia e plehrave të shëndrrojë vendin tonë në destinacionin e preferuar të mbeturinave.
Ky është vetëm hapi i parë që do të pasohet me çdo iniciativë tjetër të domosdoshme për të mos lejuar importin e plehrave në vendin tonë.
Ne jemi të vendosur të çojmë deri në fund pëpjekjen tonë për të ndaluar pasurimin e disa personave në kurriz të rrënimit përfundimtar të vendit dhe të ardhmes së qytetarëve dhe brezave që vijnë pas,” thuhet në një deklaratë të FRESSH.
