E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH: Shteti, më shumë vëmendje për rininë

FRESSH-i kërkoi dje në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë më shumë vëmendje nga ana e shtetit për të rinjtë. Në një njoftim për shtyp të FRESSH-it vihen në dukje problemet më shqetësuese të të rinjve. Ata kërkuan më shumë vëmendje nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me problemin e duhanpirjes. Një tjetër problem, sipas këtij forumi, është mungesa e alternativave për të kaluar kohën e lirë dhe për t’u argëtuar. “Për sa i takon punësimit, - thuhet në njoftim, - janë përpara syve të të gjithëve me mijëra fëmijë nën 16 vjeç, të cilët enden rrugëve duke shituar paketa cigaresh, duke qëndruar si shitës ambulantë, duke larë makina nëpër lavazhe, apo edhe duke mbledhur kanoçe pranë koshave të plehrave”. “Çfarë nismash ka ndërmarrë Ministria e Çështjeve Sociale e zotit Kosta Barka për të frenuar ekspansionin e punësimit të paligjshëm, në të zezë dhe në kushte barbare, për ata të mitur që në vend të mësojnë si të hedhin hapat e tyre në jetë, detyrohen të mbushin fabrika apo punishte, për t’u qepur këpucët “bejlerëve të rinj”, ndërkohë që ata vetë nuk kanë këpucë për të veshur?! Çfarë ka bërë ai për të hequr nga rrugët lypësit e shumtë që janë kthyer në kornizën e zymtë të Tiranës?”, - thuhet në njoftimin për mediat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›