E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Regjimi paranojak komunist na ndau nga Kina

Kreu i qeverisë shqiptare e ka cilësuar një humbje për Shqipërinë shkëputjen e marrëdhënieve me Kinën në kohën e regjimit të Enver Hoxhës. Në konferencën për shtyp Kryeministri foli edhe për bisedimet me homologun kinez. Berisha tha se regjimi paranojak komunist na ndau nga Kina. “Një ditë, kur Kina u shkëput nga kursi aventuresk i Cian Cinit dhe Lin Biaos dhe përqafoi kursin e reformave të Ten Xiaopin-it, udhëheqja paranojake politike shqiptare e denoncoi atë si një superfuqi dhe në mënyrën më mosmirënjohëse ndërseu megafonat e shpifjes e të mashtrimit kundër tyre”, - tha Berisha. Ai shtoi se mes dy vendeve do të nënshkruhet një marrëveshje partneriteti strategjik. “Një nga kërkesat e mia për Kryeministrin Ëen Jiabao ishte që ai dhe qeveria e tij të inkurajojnë biznesin kinez që të investojë në Shqipëri, duke e siguruar se Shqipëria, përveç një mjedisi miqësor, ofron edhe potenciale të mëdha për investitorët kinezë në fushën e ujërave, energjisë, ndërtimit të hidrocentraleve, në fushën e minierave, turizmit, manifakturës etj., sikundër më siguroi se do të nisë ekipe për të studiuar të gjitha potencialet e mundshme të bashkëpunimit dhe për investime të biznesit kinez në vendin tonë”, - shtoi Berisha. Gjatë kësaj vizite, Berisha tha se Kina do të ofrojë një kredi të butë për Shqipërinë e cila do të përdoret për ndërtimin e infrastrukturës. “Kryeministri Ëen Jiabao pranoi për akordimin Shqipërisë të një kredie të tillë. Qëllimi ynë është që me këtë kredi, së bashku me kreditë e buta të ofruara nga vende të tjera mike si qeveria japoneze, nga fondi kuvajtian etj., të mobilizojmë sa më shumë fonde për rrugët dytësore, kanalizimet, ujërat e zeza, ujësjellës, në mënyrë që të modernizojmë infrastrukturën tonë, në një kohë sa më të shkurtër të mundshme”, - shtoi Berisha në fund të fjalës së tij.

Ngritja e dy gishtave në Pekin

“Për sa i përket shenjës së përshëndetjes me sportistët shqiptarë, janë bërë komente nga më të ndryshmet. Shenja e dy gishtave e ngritur lart është simboli i fitores, pasi unë nuk mund të mos u uroja fitoren sportistëve tanë, në këtë eveniment kaq të rëndësishëm. Kam dëgjuar dhe komente të tilla, si p.sh. se kjo shenjë u bë për zgjedhjet elektorale. Nuk them se viti nuk është elektoral, por nuk kishte asnjë lidhje me zgjedhjet, pikërisht në Pekin”, - tha Berisha.

Çështja e Kosovës, kryeministri optimist për Kinën

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Kryeministri Sali Berisha tha se e kishte biseduar gjatë çështjen e Kosovës në Kinë si dhe mundësinë e njohjes së saj nga gjigandi i Azisë. Sipas Kryeministrit shqiptar, nga Kina mund të pritet edhe surpriza në lidhje me çështjen e Kosovës, pasi sipas tij, Kina mbetet mike e shqiptarëve. “Sigurisht që Kosova ishte një çështje për të cilën unë diskutova me Kryeministrin e Kinës, zotin Wen Jiabao, si dhe me ministrin e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zotin Wang Jiarui. Pikëpamja ime është se Kina, ky vend mik, nuk ka qenë bashkautor në padrejtësinë e madhe historike që iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga fuqitë e mëdha, të fillimit të shekullit që shkoi. Në këtë kontekst, njohja e Kosovës do të ishte një kontribut shumë i rëndësishëm i këtij vendi të madh në paqen dhe stabilitetin në rajon. Mendoj se dihet pikëpamja e palës kineze, të cilët duke respektuar vullnetin e popujve për vetëvendosje, mendojnë se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdonte”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›