Sarkozi dhe Wen Jiabao do të vizitojnë Shqipërinë
Kryeministri shqiptar Sali Berisha u rikthye nga vizita treditore në Pekin dhe ditën e djeshme bëri bilancin e kësaj vizite përpara mediave. Berisha e vlerësoi këtë vizitë nga më të suksesshmet, pasi pati mundësi të takohet me gjysmën e liderëve të botës. Përpara gazetarëve, Berisha tha se ka marrë premtim se Presidenti francez Nikola Sarkozi dhe Kryeministri i Kinës, Wen Jiabao, do të vizitojnë së shpejti Shqipërinë. “Unë shfrytëzova këtë moment ta uroj edhe një herë Presidentin Sarkozi për suksesin e madh të samitit të Bashkimit të Mesdheut, që ai thirri dhe organizoi më 13 korrik të këtij viti, si dhe i ripërsërita ftesën për të vizituar Shqipërinë. Presidenti Sarkozi më siguroi se ai do të vizitojë vendin tonë, e cila do të shënojë një ngjarje historike, vizitën e parë të Presidentit të Republikës Franceze në Shqipëri”, - tha Berisha.