E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI: Strategjia për rininë, në sirtarët e Pangos

Lëvizja Rinore për Integrim ka shprehur shqetësimin e saj në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë lidhur me gjendjen që janë të rinjtë sot në Shqipëri. Në një njoftim për shtyp, thuhet se të rinjtë shqiptarë hasin mjaft probleme si në shkolla, në punësim etj. “Të rinjtë shqiptarë duhet të përballen me një sistem arsimor që çdo ditë e më shumë vetëm eksperimenton. Deklarata e Bolonjës, e nënshkruar nga shteti shqiptar, thjesht montohet në mënyrë mekanike, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e çdo të riu në tregun e punës”, - thuhet në këtë njoftim. LRI-ja vë në dukje se qeveria shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Rinisë, një dokument voluminoz, por që për fat të keq ka ngelur thjesht një tufë letrash të pluhurosura në sirtarët e ministrit Pango. “Asnjë prioritet, në asnjë fushë që prek rininë, nuk është zbatuar, çka tregon qartë se premtimet e Kryeministrit për të rinjtë janë thjesht demagogji e pastër dhe mashtrim i hapur”, - thuhet më tej. Njëkohësisht, LRI-ja thekson mungesën e terreneve sportive dhe mjediseve të tjera çlodhëse, të cilat dita-ditës po zëvendësohen më komplekse betoni, duke i larguar të rinjtë nga sporti dhe jeta aktive, si dhe duke i kthyer në konsumatorë të një jete pasive dhe pa perspektivë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›