FRESSH ironizon Mediun: Është i varfër, të bëjmë bamirësi në ndihmë të tij
FRESSH ironizon ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu në lidhje me deklaratën e pasurisë së tij. Pas publikimit të deklaratave të pasurisë së deputetëve nga skuadra “Unë votoj”, ku Mediu rezultonte në borxhe dhe deputeti më i varfër i Kuvendit, Forumi Rinor i Partisë Socialiste ka shpallur me ironi një fushatë bamirësie në ndihmë të ish-ministrit të Mbrojtjes. Në një deklaratë për shtyp, FRESSH ka deklaruar se ish-ministri i Mbrojtjes ka pësuar humbje të mëdha financiare si rezultat i shpërthimit të Gërdecit, dhe për këtë arësye ka kërkuar përfshirjen e tij në listën e të dëmtuarëve nga kjo tragjedi.
“Si pasojë e bilancit të fundit, të bërë në lidhje me deklarimin e pasurive të deputetëve shqiptarë, i cili vuri në pah se deputeti më i varfër i Parlamentit Shqiptar është pikërisht Fatmir Mediu, Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar – FRESSH vendosi të nisë një fushatë të madhë bamirësie në ndihmë të tij.
Kështu, FRESSH i propozon Parlamentit Shqiptar që mes të dëmtuarve të Gërdecit të vendoset dhe emri i zotit Mediu dhe një pjesë e fondit t’i shkojë atij. Në fakt, zoti Mediu është realisht i dëmtuar prej tragjedisë së Gërdecit: pas shpërthimit të bankës së municioneve, situata e tij financiare ndryshoi në mënyrë drastike”, thuhet në deklaratën për shtyp të Forumit Rinor të Partisë Socialiste. FRESH e ka vijuar edhe më tej ironinë ndaj Mediut, duke u bërë ftesë të gjithë shqiptarëve që të kontribuojnë në llogarinë bankare me emrin “Shpëtoni Deputetin Mediu”, në Bankën “Shumëkombëtare të Armatimeve të Dyshimta”, dhe me numrin e llogarisë, në të cilën është shënuar 15 marsi 2008, datë në të cilën ndodhi tragjedia e Gërdecit.
16 Korrik 2008