E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hajdutët vjedhin pasaportat e turistëve anglezë

03/05/2005  Policia e Vlorës, ende asnjë identifikim

VLORE - Vidhen pasaportat e 3 turistëve anglezë në një nga hotel-baret e Ujit të Ftohtë. Vizita e tre shtetasve anglezë në bregun vlonjat të Jonit, nuk u ka ecur mirë turistve të huaj, që nuk janë mësuar me vjedhje të tilla në mjaft udhëtime që ata kanë kryer në Evropën Lindore.

Kanë qenë në një nga verandat e hotel “Nju Jorkut”, pranë ish- vilave të qeveritarëve, kur janë ndeshur edhe me hajdutët e çantave.

Sipas zëdhënësit të policisë, Enkelejd Selmani, tursitët anglezë kanë disa ditë që pushojnë në Vlorë pranë këtij hoteli.

Ishim në tarracën e hotelit ku shërbehet kafe, thotë anglezja në polici, dhe së bashku me fëmijën po sodisnim pamjen përballë nesh.

“Ishte një moment delikat me fëmijën tonë të vogël, i cili u largua vrushllshëm nga tavolina drejt ambientit të hotelit, çka bëri që edhe ne ta ndiqnin nga mbrapa”, tregon turistja.

Hajdutët kanë shfrytëzuar pikërisht këtë lëvizje. Ata ndodheshin në barin e hotelit çka solli edhe vjedhjen e çantës së tyre, ku ndodheshin 3 pasaportat si dhe 15 mijë lekë të reja.

“Sapo u kthyem së bashku me djalin, pamë që në tavolinën tonë mungonte çanta jonë. Jemi mjaft të prekur”, ka thënë në polici shtetasi anglez.

Sipas burimeve të policisë së Vlorës mësohet se pas dëshmive që anglezët kanë bërë në polici mësohet se ngjitur me tavolinën e tyre ndodheshin edhe dy djemë nën moshën 18 vjeçë.

Pasi kanë dhënë edhe përshkrimet e tipareve e veshjeve të djemve, anglezët kanë qëndruar në pritje të lajmeve të policisë.

Nga ana e policisë kriminale mësohet se kanë filluar menjëherë kërkimet në radhët e vjedhësve të vegjël që janë shtuar shumë kohët e fundit në Vlorë dhe janë bërë një shqetësim mjaft i madh edhe për qytetarët që lëvizin nëpër autobusët urbanë.

Por me gjithë kërkimet, ende policia nuk ka rënë në gjurmë të vjedhësve të turistëve të huaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›