E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: E drejta televizive, të mërkurën tenderi

Tashmë duket se ka ardhur dita kur edhe klubet të përfitojnë para nga e drejta televizive e ndeshjeve të tyre në kampionatin shqiptar. Ashtu si në të gjithë botën, një gjë e tillë po merr formë edhe te ne. Këtë javë, e cila është edhe e fundit para fillimit të edicionit të ri futbollistik 2009-2010, është parashikuar të zhvillohet edhe tenderi për shitjen e kësaj të drejte televizive. Një gjë të tillë e ka lajmëruar sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani. "UFA grup do të zhvillojë të mërkurën tenderin, u shpreh dje Prodani. Për momentin jemi ende në bisedime me klubet. Negociatat po ecin shumë mirë dhe besoj se jemi shumë panë arritjes së marrëveshjes. Po diskutohet për disa pika të fundit, të cilat kanë lidhje me paratë që do të përfitojnë klubet nga shitja e të drejtës televizive". Sipas sekretarit të përgjithshëm, nuk mungojnë edhe risitë. "Në të drejtën televizive, përveç Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, janë përfshirë edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe kampionati i futbollit për femra, i cili do të zhvillojë edicionin e parë në këtë sezon. Do të jetë një proces transparent, klubet do të kenë mundësi vëzhgimi". Përfshirja e kampionatit të femrave u bë pas këmbënguljes së FIFA-s e UEFA-s, me qëllimin për ta bërë sa më popullor këtë disiplinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›