E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: Ilir Azemi refuzon Kombëtaren, lojtari deklaron të kundërtën

Nga ANDI TANKU

Kosovari i cili luan në Gjermani me skuadrën e Greuther Furthit ku aktivizohet edhe Mërgim Mavraj, i thotë jo kërkesës së Federatës për të luajtur me kuqezinjtë, kjo sipas FSHF-së, ndërsa lojtari nga ana tjetër deklaron se kërkon kohë deri sa të stabilizohet në klubin e tij

Ilir Azemi, mesfushori kosovar që luan me Greuther Furthin në Bundesligën 1 i thotë jo kombëtares Shqiptare, kjo sipas burimeve brenda FSHF-së, të cilët deklarojnë se prej javësh Drejtoria e Ekipeve Kombëtare në FSHF është munduar të kontraktojë me lojtarin për të plotësuar dokumentacionin që ai të marrë shtetësinë shqiptare dhe për të luajtur me ekipin Kombëtar dhe atë Shpresa.

Lojtari nuk bëhet i gjallë për të qenë pjesë e Kombëtares, pavarësisht se trajneri Xhani de Biazi dhe ai i ekipit Shpresa, Skënder Gega e duan në skuadër. Madje, sipas burime zyrtare në Federatën e Futbollit ai ka refuzuar edhe një grumbullim me ekipin U-21 që ka nisur pikërisht para dy ditësh në Durrës.

Arsyet e refuzimit dhe mohimit të skuadrës kuqezi janë të paqarta. Gjithsesi, jo zyrtarisht nga ana e drejtuesve në institucionin e futbollit konfirmohet teza se ai ka dëshirë, ose më mirë mendon se mund të luajë me përfaqësuesen e Gjermanisë. Një model ky i famshëm për ata që pretendojnë të luajnë me Shqipërinë dhe më pas joshen nga ide menaxherësh që u premtojnë fanella të rënda si Italia apo Gjermania.
Redi Jupi: Ndoshta nuk dëshiron të vishet kuqezi
Drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare, Redi Jupi ka sqaruar situatën. Ai ka konfirmuar se lojtari në fillim ka qenë i gatshëm për të luajtur me ekipin tonë Kombëtar, por më pas nuk është bërë i gjallë.

Edhe pas insistimit tonë ai nuk na ka kontaktuar. E kemi grumbulluar në ekipin Shpresa por sërish asgjë. Ndoshta nuk dëshiron të luajë me Shqipërinë. Zakonisht këta djem joshen nga ideja se do të luajnë me ekipe të mëdha, por që më pas pendohen, sepse e kuptojnë që është pothuajse e pamundur,- sqaron ish-lojtari i kombëtares Shqiptare, Redi Jupi. Gjithsesi, ky i fundit pranon se dera për Azemin është e hapur, sepse në Federatë e konsiderojnë një lojtar të vlefshëm dhe me të ardhme.
Ilir Azemi: Nuk është e vërtetë që nuk dua të luaj për Shqipërinë

Lajmin se nuk ka pranuar luajë me Kombëtaren tonë, kosovari 20vjeçar e mohon në mënyrë kategorike. Jo, absolutisht është i pavërtetë. Bisedat me FSHF-në janë zhvilluar nëpërmjet menaxherit tim, i cili ua ka bërë me dije drejtuesve të këtij institucioni se për momentin kërkoj që të stabilizohem në klubin tim, pasi nuk e zotëroj akoma vendin e titullarit. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk kam thënë se nuk dua të luaj për Shqipërinë. Dëshira ime është që një ditë të vesh fanellën kuq e zi,-përfundon Ilir Azemi për Asport.

E kaluara e Ramës, Behramit, Gjasulës e Ninit
Për çudi shumë lojtarë kosovarë, por edhe ata shqiptarë kanë histori. Joshen nga skuadrat e mëdha dhe më pas përfundojnë me ekipe të vogla, sepse me kombëtare si Gjermania, Italia e ndonjë tjetër është vështirë që të luajnë. I pari që nisi serinë e refuzimeve ka qenë Milaim Rama. Sulmuesi i Thunit në 2003-in, ishte gati të luante me Shqipërinë, por më pas zgjodhi Zvicrën, me të cilën nuk është se luajti më shumë se 10 ndeshje.

Valon Behrami u përbetua për Flamurin kuqezi dhe në fund mbylli telefonin dhe su bë i gjallë derisa luajti me Zvicrën. Shaqiri-Xhaka me shokë, që luajnë me zviceranët, zgjodhën këtë rrugë, por fati u buzëqeshi më shumë, sepse janë në kombëtaren e Zvicrës, pasi ajo skuadër ka nevojë për ta. Histori të njëjta me Jurgen Gjasulën që ishte gati për të qenë pjesë e kombëtares Gjermane apo Sotir Nini, që u josh nga përfaqësuesja Greke, pavarësisht se fare mirë mund të zgjidhte Shqipërinë.

Çani e Mavraj të penduarit

Mërgim Mavraj dhe Edgar Çani tani janë pjesë e ekipit tonë Kombëtar. Megjithatë, kapiteni i Greuther Furthit dy herë refuzoi Shqipërinë dhe më pas kërkoi falje publike që të ishte në Kombëtare. Shkaku? Shpresonte të grumbullohej me ekipin përfaqësues të Gjermanisë, ftesë që nuk mbërriti asnjëherë në adresë të tij.

Edhe Edgar Çani, vite më parë nuk pranonte të luante me ekipin Shpresa, sepse menaxheri i tij i pati premtuar Italinë. Më pas shtatlarti i sulmit kuptoi, se nga Shqipëria do të vinte ftesa e vetme për të luajtur me një ekip Kombëtar dhe pranoi të ishte pjesë e tij.

Cili është Ilir Azemi

Ilir Azemi është një mesfushor, që prej kohësh jeton dhe luan në Gjermani. Prej vitesh ai është pjesë e ekipit të Greuther Furthit në Bundesligën 1. Ai ka luajtur me skuadrën e dytë për shumë kohë, por këtë verë që me nisjen e sezonit të Rexhional Ligës ka treguar një formë të shkëlqyer, duke shënuar dy gola. Menjëherë trajneri i Furthit e ka thirrur në ekipin e parë, ku aktualisht kapiten i skuadrës është mbrojtësi i Kombëtares sonë, Mërgim Mavraj.

Ka lindur më 21 shkurt 1992 në Prishtinë dhe është 20 vjeç. Luan si mesfushor edhe pse është 192 cm i gjatë. Për cilësitë që ka mund të jetë një nga ata që mund të zëvendësojnë fare mirë Ervin Skelën në mesfushë dhe që mund ti bëjë shumë punë skuadrës tonë Përfaqësuese, ndonëse kohët e fundit ka luajtur edhe në sulm.

Çani tek Viçenca

Mësohet se Edgar Çani ka shumë mundësi që të firmosë një kontratë me ekipin e Viçencës në Serinë B. Sulmuesi kuqezi duhet më parë që të zgjidhë kontratën e tij me klubin Polonia të Varshavës, para se ai të ketë mundësinë për të luajtur në Itali, nëse gjendet akordi me drejtuesit e klubit të Viçencës.

Salihi asnjë minutë kundër Nju Jork

Hamdi Salihi nuk është aktivizuar për asnjë minutë në takimin që skuadra e tij DC United ka zhvilluar kundër Nju Jork-ut, sfidë e cila u mbyll në barazim 2-2. Mirëpo pavarësisht kësaj, në adresë të bomberit shkodran nuk ka munguar ftesa nga kombëtarja e Shqipërisë për ndeshjet kundër Qipros dhe Zvicrës, të vlefshme për Eleminatoret e Botërorit 2014. Lajmi konfirmohet nga burime të klubit amerikan të DC United, ku luan Salihi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›