E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza i bën apel bashkisë për bashkim, përndryshe bojkot kampionatit

Nga ILIR CARA

Në FSHF është përcaktuar se kush do të jetë Kamza e sezonit të ri, ndonëse para disa ditësh kishte një vendim për heqje të licencës. Pas shumë polemikash dhe ballafaqime dokumentacionesh, mes presidentit të kamzalinjëve, Naim Qarri, dhe Bashkisë së Kamzës, federata ka vendosur të regjistrojë ekipin që drejtohet nga trajneri Sajmir Malko.

Ekipi në fjalë është ngritur nga presidenti Qarri, por ky grup nuk mund tia dalë pa ndihmën e bashkisë, e cila është edhe pronarja e stadiumit të Kamzës. Presidenti Naim Qarri dje ka bërë një apel të fundit ndaj bashkisë, ku kërkon bashkëpunimin. Përveç apelit për bashkim ka edhe një paralajmërim bojkoti nga ana e presidentit Qarri, në rast se nuk shkrihen akujt mes dy aksionarëve të shoqërisë.

Edhe njëherë dua ti bëj një apel të fundit Bashkisë së Kamzës që në të mirë të komunitetet të zgjidhen problemet, në mënyrë që kamzalinjëve të mos u mungojë futbolli. Në rast se kjo gjë nuk ndodh, ne si ekip kemi menduar që në shenjë proteste ta bojkotojmë sezonin, ndonëse jemi vendosur për të përfaqësuar ngjyrat e futbollit të qytetit në Kategorinë e Parë.

Shpresoj që gjërat do të zgjidhen dhe të mos shkojnë drejt vendimeve ekstreme, është shprehur dje për mediat presidenti i Kamzës, Naim Qarri. Sipas kalendarit, nesër Kamza do të jetë mysafire në Sarandë, por do të jetë pasditja e sotme ajo që do të përcaktojë nëse ekipi do të jenë të shtunën në fushë ndaj Butrintit.

Bashkia nis punimet në stadium Kërkesa kryesore e drejtuesve të  Kamzës që drejtohen nga presidenti Naim Qarri është hapja e dyerve të stadiumit, pasi ka një vendim të bashkisë për të mos lejuar ekipin që stërvitet nga trajneri Sajmir Malko. Por edhe në se gjendet bashkëpunimi, Kamza sërish mund të humbasë mundësinë për të luajtur në fushën e saj, pasi nga sot bashkia ka vendosur të nisë punimet për rikonstruksionin e ambjenteve të stadiumit.

Sot pritet që Bashkia të nisë punimet për ndërtimin e tribunës përballë, ku sipas planit do të ndërtohen tetë shkallë. Pra me këto zhvillime të reja që po kryhen në ambjentet e stadiumit, si do që të vejë puna mes aksionarëve të shoqërisë, Kamza është e detyruar që ndeshjet e para të sezonit ti luajë jashtë fushës së saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›