E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, Sulejmani: Grupi dhe loja kolektive, çelësi i suksesit kundër Mamurrasit

Nga ANDI TANKU

Sfida e parë e kampionatit është vlerësuar në maksimum nga blutë, ku sipas mbrojtësit të majtë të Dinamos, e rëndësishme për të marrë tri pikët është të luhet në grup dhe të zbatohen udhëzimet e trajnerit

Kur ka mbetur vetëm një ditë nga starti i Kategorisë së Parë, Dinamo duket më se e vendosur për të marrë maksimumin në takimin e parë, atë me Mamurrasin. Përgatitjet për këtë sfidë kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme, të gjithë futbollistët nën drejtimin e trajnerit Altin Zhupa kanë kryer seancën stërvitore të radhës në ambientet e ish-kompleksit Dinamo.

Pas disa ushtrimeve taktike, stafi teknik i skuadrës ka menduar të zhvillojë edhe një ndeshje kontrolli, ku do të evidentoheshin edhe njëherë lojtarët që janë më në formë për të qenë në formacionin bazë. Duket se i gjithë grupi e ka kuptuar rëndësinë e sfidës së parë dhe dëshira për të qenë në formacionin bazë i ka bërë ata të tregojnë ego edhe në ndeshjen e kontrollit, duke mos nënvlerësuar minutat që kishin në dispozicion.

Agresiviteti, ku ndonjëherë kishte edhe ndërhyrje të ashpra, por gjithsesi brenda sensit të lojës, vlerësimi i aksioneve sulmuese, të cilat këshilloheshin nga trajneri Zhupa, tregojnë edhe një herë se dinamovitët do të kërkojnë që në minutat e para të sfidës me Mamurrasin të shënojnë dhe të marrin tri pikët e para.

Rruga drejt misionit të Superligës është e gjatë dhe e vështirë, por të shtunën blutë do të kenë mundësi të vendosin këmbët në shkallën e parë të Kategorisë së Parë dhe për futbollistët rëndësi ka vetëm që të bëjnë hapin e parë në kapërcimin me sukses dhe ngjitjen drejt majës së klasifikimit. I këtij mendimi është edhe mbrojtësi Ervin Sulejmani, i cili e sheh si një detyrim fitoren ndaj Mamurrasit kur shprehet:

Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar një fazë përgatitore të kënaqshme dhe të gjithë lojtarët duken në formë të mirë fizike. E rëndësishme është që të bëjmë një paraqitje të mirë gjatë sfidës së parë të Kategorisë së Parë. Marrja e tri pikëve do të na rriste më tepër moralin për takimet që do të zhvillojmë në vazhdim.

Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, pasi kjo gjë do të na dëmtonte në arritjen e objektivit kryesor. Mamurrasi është një skuadër, e cila ka disa vite që merr pjesë në këtë ligë duke u përshtatur dhe e njohur mjaft mirë mentalitetin e Kategorisë së Parë. Ndërsa për ne është krejt e kundërta. Megjithatë, kjo nuk do të na pengojë në qëllimin që i kemi vënë vetes, ku duke u bazuar te grupi dhe loja jonë kolektive do të mundohemi ta nisim me këmbë të mbarë këtë kampionat.

Duke folur me gjuhën e fitoreve kam bindjen se edhe tifozeria dinamovite do të na qëndrojë pranë dhe do të na mbështesë gjatë këtij sezoni. Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne dhe do të mundohemi tua shpërblejmë besimin e treguar ndaj nesh, me arritjen me sukses të objektivit kryesor, atë të ngjitjes në Superligë, atje ku edhe i takon të jetë një klub i madh si Dinamo.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›