E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani sot mëson të vërtetën. Hithi drejt shiritit të kapitenit

Nga ILIR CARA

Ajo që futbollistët kanë rënë parimisht dakord me aksionarin Paro Laçi, sot do të diskutohet edhe me administratorin Sallku dhe në fund firmosen kontratat përfundimtare

Partizani është i detyruar të shfrytëzojë çdo minutë që ka të bëjë me merkaton, nënshkrimin e kontratave dhe federimin e futbollistëve në FSHF. Por sot do të përcaktohet se kush do të jetë grupi, që do të udhëtojë drejt Velipojës për fillimin e kampionatit me 1 shtator, si dhe do të vendoset lojtari, i cili do të mbajë shiritin e kapitenit.

Pjesa dërrmuese e futbollistëve që përgatiten nga trajneri Nikolin Çoçlli kanë pranuar të bëhen pjesë e Partizanit pas bisedimeve që kanë pasur me aksionarin Paro Laçi.. Ajo që është rënë dakord në parim me Laçin sot do të diskutohet edhe me administratorin Lulëzim Sallaku, i cili mësohet se ka thënë se do të respektojë punën që është bërë deri tani.

Pra, pas bisedimeve të sotme futbollistët do të nënshkruajnë në mënyrë përfundimtare kontratat e reja me administratorin Sallaku. Futbollistët janë lajmëruar për veprimet që do të kryhen të në mesditën e sotme dhe shpresohet që gjërat të shkojnë në sensin e duhur duke mos pasur të papritura.

Pasi të nënshkruhen kontratat e reja menjëherë do të bëhen edhe federimet përfundimtare dhe në këtë mënyrë merr rrugë Partizani i sezonit të ri. Mësohet se kontratat që do të nënshkruajnë futbollistët do të kenë edhe disa klauzola, ku padyshim gjithçka do të varet nga rendimenti që lojtarët do të japin në fushën e lojës.

Çështja e kapitenit 24 orë para fillimit të kampionatit ende nuk është përcaktuar se kush do të jetë futbollisti, që do të mbajë shiritin e kapitenit te Partizani. Edhe për këtë gjë do të vendoset sot, ku sipas të gjitha gjasave, Indrit Hithi do të jetë futbollisti që do të mbajë shiritin e kapitenit.

Mbrojtësi ka qenë lojtari që ka mbajtur shiritin e kapitenit për të kuqtë në miqësoret e fundit. Për stafin, shiritin duhet ta mbajë një futbollist që duhet të plotësojë disa kritere, ku mbi të gjitha duhet të jetë i qetë dhe i komunikueshëm si me gjyqtarët dhe kundërshtarët.

Favorit për momentin për të mbajtur shiritin është Indrit Hithi, i cili këtë gjë e ka bërë edhe në fundin e sezonit 2010-2011. Ky verdikt mund të ndryshojë vetëm në rast se sot te Partizani do të vijë ndonjë lojtarë me më shumë eksperiencë. Hithit shiritin e kapitenit mund tia rrëmbejë sot vetëm ndonjë ish me një karierë më të madhe me Partizanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›