E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: Na duhet kohë për tu menduar, Bosnja thotë “PO”, por s`fut dorën në xhep

Pasi Bosnje-Hercegovina dha OK-in e saj për zhvillimin e një ndeshje miqësore me kombëtaren tonë më 7 shkurt, datë e lirë e lënë nga FIFA për të tilla ndeshje u duk se gjithcka tashmë kishte përfunduar dhe kundërshtari ishte gjetur në një kohë rekord. Por duket se tashmë është Federata Shqiptare e Futbollit e pavendosur nëse do të pranojë të luajë kundër Bosnjes apo jo pasi kjo e fundit ka kërkuar që ti plotësohen disa kushte që institucioni ynë i futbollit do ti diskutojë fillimisht më pas do të vendosë. Kështu mësohet se kundërshtari i mundshëm i kuqezinjve për 7 shkurtin ka kërkuar që përvec sigurimit të akomodimit për dy ditë në Tiranë tu sigurohet edhe udhëtimi gjë që ja "ka prishur" disi qejfin Federatës. Vetë zëdhënësi për shtyp i "qeverisë" së futbollit, Lysien Nurishmi deklaroi se FSHF-ja ende nuk ka vendosur përfundimisht nëse do të pranojë të luajë kundër Bosnjes apo jo. "Në Federatë na ka mbëritur faksi nga Bosnje-Hercegovina ku na thuhet se ata janë dakord për zhvillimin e një miqësoreje më datë 7 shkurt. Por ne ende nuk kemi vendosur përfundimisht nëse do të pranojmë të luajmë kundër Bosnjes apo jo pasi ata kërkojnë që tu plotësohen disa kushte. Kundërshtari i mundshëm i kuqezinjve ka kërkuar që përvec sigurimit të akomodimit për aq ditë sa ekipi do të qëndrojë në Tiranë, ata kërkojnë që ne të paguajmë edhe udhëtimin. Pikërisht për këto kërkesa FSHF-ja ende nuk ka vendosur përfundimisht. Besoj se gjithcka do të mbyllet në ditët në vazhdim" përfundoi Nurishmi. Ndërkohë që duket se miqësorja me Bosnjen mund të mos zhvillohet pasi vetëm dy ditë më parë vetë drejtuesit e Federatës deklaruan se edhe Kazakistani kishte shprehur dëshirën e një miqësoreje me kombëtaren tonë por duke qenë se ata kërkonin jo vetëm akomodimin por edhe sigurimin e udhëtimit atëherë institucioni i futbollit nuk pranoi pasi fatura për zhvillimin e miqësores do të shkonte 300 mijë dollarë, një shumë aspak e favorshme për një takim miqësor dhe aq më tepër kundër një ekipi si Kazakistani.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›