E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF-TVSH, pas "luftes" arrihet bashkëpunimi

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Televizioni Publik Shqiptar kanë arritur sot një marrëveshje të rëndësishme përsa i përket bashkëpunimit midis tyre. TVSH do të shlyejë borxhin që ka dhe më pas palët do të ulen në bisedime për zgjatjen e bashkëpunimit midis tyre. Lajmi është bërë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Roland Mici, i cili ka shprehur kënaqësinë për frymën e bashkëpunimit me TVSH. Ky i fundit i ka borxh federatës 60 mijë euro nga edicioni i kaluar, cka do të vinte në rrezik transmetimin e ndeshjeve brenda të kombëtares shqiptare. Midis dy institucioneve kishte nisur një luftë mediatike, me pretendimin e TVSH-së për ndeshjet, edhe pse pranonte borxhin, si dhe me kundërpërgjigjen e federatës për ta nxjerrë në tender të hapur të drejtën televizive të kuqezinjve. Pas takimit të djeshëm, të dy palët kanë rënë dakord për shlyerjen e borxhit brenda dy ditëve dhe më pas do të ulen për marrëveshjen e re të transmetimit të ndeshjeve të Shqipërisë. "Me TVSH ramë dakord dhe në dy ditët e ardhshme ata do të na shlyejnë borxhin. Më pas, do të ulemi për të diskutuar të drejtën televizive, në bazë të ligjit", bëri të ditur Mici, duke shtuar: "Ne jemi shumë të kënaqur, jo thjesht për shlyerjen e borxhit, të cilin TVSH e njihte. Jemi të interesuar për të pasur frymë bashkëpunimi midis dy insticioneve të rëndësishëm dhe kjo u arrit. Shpresoj që kjo frymë të vazhdojë edhe në të ardhmen".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›