Mici: “Nuk mund të falim borxhet e klubeve”

Sekretari i FSHF-së, Roland Mici u shpreh për propozimin e presidentit të Partizanit, Albert Xhani, për faljen e borxheve që klubet i kanë federatës. Mici pohoi se nuk mund të ketë një amnesti të tillë, pasi FSHF nuk ka burime financiare pa fund. Ajo që ofron federata është shlyerja me këste e borxheve, cka është ofruar që më parë. "Nuk mund të falim borxhet, por do të përpiqemi të gjejmë një sistem që klubet t'i shlyejnë me këste. Besoj se kjo është një ndihmë e konsiderueshme", u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së. Fillimi i kampionateve të kategorive të ndryshme tashmë është shumë afër, por duket se një pjesë e futbollistëve që aktivizohen në këto kampionate nuk do të marrin pjesë. Një gjë e tillë mund të ndodhë për faktin që disa lojtarë i kanë Federatës Shqiptare të Futbollit një borxh që llogaritet afërsisht në 5 milionë lekë të reja. Një lajm të tillë e ka bërë të ditur Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Hito Hitaj, i cili deklaroi se në rast të mosshlyerjes së borxheve nga ana e futbollistëve, këta të fundit rrezikojnë në mos aktivizohen në kampionatet e ardhshme.