FSHF “blen” klubet për të drejtën televizive
Jetmir Halilaj
Klubet e Kategorisë Superiore do të përfitojnë një shumë prej 600 mijë eurosh për këtë sezon nga shitja e së drejtës televizive. Akordi është vendosur dje dhe më pas është zyrtarizuar nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës. Në fakt, kësaj të fundit i është dashur të shtojë gjysmat e parave nga xhepi, për të bindur krerët e klubeve që të nënshkruanin kontratën me kompaninë gjermane “UFA”, e cila bleu të drejtën TV për këtë edicion, me opsionin për rinovim edhe për tri vite të tjera.
“Bamirësia”
Kompania gjermane ofroi vetëm 300 mijë euro për të blerë të drejtat e ndeshjeve të Superiores, çka nuk i bindi klubet që ta firmosnin kontratën. Në këto kushte, Federata, e cila ka bërë gjatë gjithë kohës rolin e ndërmjetëses vendosi të ndërhyjë, me qëllim që bisedimet të mos dështonin. Institucioni shqiptar i futbollit, përveç shumës prej 300 mijë eurosh të ofruar nga kompania “UFA”, vendosi që të dyfishonte shumën që do t’u shpërndahej klubeve me qëllim që ata të mos refuzonin ofertën e fundit nga kompania që bleu të drejtën TV. Këto parà Federata ia kaloi kompanisë gjermane në formë huaje. Motivi zyrtar i Federatës, për këtë bamirësi ndaj skuadrave të Superiores, është nxitja e klubeve për të menaxhuar sa më mirë të drejtat e tyre TV.
Federata
Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani e ka cilësuar ndërhyrjen e Federatës si një katalizator për të bërë të mundur që klubet ta menaxhojnë sa më mirë të drejtën TV dhe të përfitojnë sa më shumë prej saj. “Është e vërtetë që shuma e ofruar nga kompania “UFO” nuk i bindi klubet, por ne nuk donim që kjo marrëveshje të dështonte, ndaj edhe ndërhymë duke dyfishuar shumën – ka deklaruar Prodani – E drejta TV është një nga mundësitë më të mira për të pasur përfitime financiare nga ana e klubeve dhe kjo ndodh në gjithë botën. Ne duam të shërbejmë si katalizator që kjo të bëhet traditë. Qëllimi ynë është që klubet të përfitojnë sa më shumë. Nëse nis mirë ky vit dhe gjërat shkojnë si duhet, atëherë situata do të jetë krejt tjetër sezonin e ardhshëm. Nëse gjërat shkojnë si duhet, atëherë Federata do të ketë mundësi t’i kompensojë këto para, por edhe për këtë duhet një skemë e qartë. Sa i përket Dinamos, deri tani nuk është pjesë e kësaj pakete dhe nuk do të përfitojë asgjë në rast se nuk firmos edhe ajo si gjithë të tjerat kontratën me kompaninë”.