E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Progres në zgjedhje, por standardet s’u arritën

 

adi shkembi

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit vlerësohen si progres nga vëzhguesit e ODIHR-it, por sërish vihet theksi te mangësi, të cilat zbehën përmirësimet e arritura. Rreth dy muaj e gjysmë pas ditës së votimit, misioni i OSBE/ODIHR-it ka publikuar dje raportin përfundimtar për procesin elektoral. Në 36 faqet e këtij raporti përshkruhen hollësisht të gjitha detajet e procesit zgjedhor, si dhe jepen rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme.
Procesi
Në hyrje të këtij raporti thuhet se “zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan progres të dukshëm në lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, strukturën ligjore, të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, mbi votimin, numërimin dhe gjykimin e kontesteve zgjedhore”. Por sipas komunitetit ndërkombëtar, këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, si gjatë numërimit dhe deklarimit të votave, që bllokoi përkohësisht procesin e numërimit në disa zona, ashtu edhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore. “Këto veprime të partive politike kanë minuar besimin e publikut në procesin zgjedhor. Ndërsa u arritën shumë kërkesa të OSBE-së, këto zgjedhje nuk e realizuan plotësisht potencialin e mundshëm të Shqipërisë, për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike”, theksohet në raportin përfundimtar.
Komisionerët
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vlerësuar si problematike emërimin e komisionerëve zgjedhore në nivelet e ulëta. Sipas Misionit, partitë e përdorën të drejtën e tyre për të zëvendësuar anëtarët e komisionit në mënyrë të paarsyeshme. “Gjë që preku efikasitetin e administratës zgjedhore dhe ndikoi negativisht në integritetin e procesit. Caktimi i Komisioneve të Qendrave të votimit (KQV-ve) kishte përfunduar shumë vonë, duke penguar trajnimin e anëtarëve të KQV-ve”, thuhet më tej në raport.
Fushata
Misioni vlerëson se fushata zgjedhore u zhvillua në një mjedis shumë të polarizuar politik, por shton se ajo ishte kryesisht e qetë me vetëm disa incidente të dhunshme të raportuara. “Të 34 partitë që konkurronin në këto zgjedhje, ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht në të gjithë vendin. Herë pas here, fushata u dëmtua nga përdorimi i gjuhës tepër të ashpër. Dispozitat mbi vendosjen e posterave të fushatës dhe parullave janë aplikuar në mënyrë të paqëndrueshme, gjë që çoi në kundërshtime në disa rajone, ashtu si edhe vendosja e qendrave dhe tendave të fushatës”, thuhet në raport.
Rekomandimet
Pas evidentimit të mangësive në zgjedhjet e 28 qershorit, misioni u ka rekomanduar partive politike të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, krahasuar me privilegjet e gjëra që ata gëzojnë sipas ligjit. “Ato duhet të kryejnë detyrat e tyre zgjedhore në një mënyrë të përgjegjshme për interesit të përgjithshëm të Shqipërisë. Duhet të sigurohet se votuesi të dijë paraprakisht kandidatët për të cilët do të votojë”, thekson raporti. Gjithashtu vëzhguesit, të cilët ndoqën nga afër procesin elektoral të 28 qershorit, kanë rekomanduar ndryshimin e dispozitave në Kodin Zgjedhor, që ka të bëjnë me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë të caktuar, ku kërkohet të përcaktohet qartë kushtet kur zhvillohen zgjedhjet. “Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet me qëllim për të eliminuar ndonjë mundësi për abuzim dhe bllokimin e procesit nga partitë politike. Çdo rast i presionit mbi administratën duhet të hetohet në tërësi, dhe autorët t’i çohen drejtësisë në përputhje me ligjin”, përfundon raporti.

pjese nga Raporti i Misionit të OSBE/ODIHR

=    Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan progres të dukshëm në lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, strukturën ligjore, të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, mbi votimin, numërimin dhe gjykimin e kontesteve zgjedhore.
=    Këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, si gjatë numërimit dhe deklarimit të votave, që bllokoi përkohësisht procesin e numërimit në disa zona, ashtu edhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore.
=    Këto veprime të partive politike kanë minuar besimin e publikut në procesin zgjedhor. Ndërsa u arritën shumë kërkesa të OSBE-së, këto zgjedhje nuk e realizuan plotësisht potencialin e mundshëm të Shqipërisë, për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike.
=    Zgjedhjet u zhvilluan sipas një Kodi të ri zgjedhor, të miratuar në fund të 2008. Kodi i ri ka pasur disa rekomandime të ofruara më parë nga OSBE / ODIHR-it dhe solli përmirësime të rëndësishme. Për shembull, një sistem i përfaqësimit proporcional rajonal zëvendësoi sistemin e mëparshëm të diskutueshëm zgjedhor dhe një regjistër kombëtar i kompjuterizuar i popullsisë ishte burim i listave të votuesve.
=    Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, u vunë re probleme gjatë emërimit të komisioneve zgjedhore të nivelit të ulët; partitë e përdorën të drejtën e tyre për të zëvendësuar anëtarët e komisionit në mënyrë të paarsyeshme, gjë që preku efikasitetin e administratës zgjedhore dhe ndikoi negativisht në integritetin e procesit. 
=    Politikisht, mosmarrëveshja më e rëndësishme që i përket procesit të identifikimit erdhi nga dështimi i qeverisë për të dhënë shifra të besueshme mbi ecurinë e procesit të aplikimit të qytetarëve pa pasaporta.
=    Disa çështje të lidhura me zgjedhjet u ngritën përreth komunitetit rom, të lidhura shpesh me procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. OSBE / ODIHR-it ka marrë akuza të shumta për blerjen e votave në bashkësitë rome, disa prej të cilave janë vërtetuar.
=    Partitë duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, krahasuar me privilegjet e gjera që ata gëzojnë sipas ligjit. Ato duhet të kryejnë detyrat e tyre zgjedhore në një mënyrë të përgjegjshme për interesit të përgjithshëm të Shqipërisë.
=    Duhet të sigurohet se votuesi të dijë paraprakisht kandidatët për të cilët do të votojë.
=    Dispozitat lidhur me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë elektorale duhet të ndryshohet ku të përcaktohen qartë kushtet e nevojshme për zgjedhjet e përsëritura.
=    Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet, me qëllim për të eliminuar ndonjë mundësi për abuzim dhe bllokimin e procesit nga partitë politike.
=    Çdo rast i presionit mbi administratën duhet të hetohen në tërësi, dhe autorët të çohen drejtësisë në përputhje me ligjin.

Kryeministri: Raporti më i mirë për Shqipërinë
Berisha vlerëson Glover:Ky raport është objektiv

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje raportin e nxjerrë nga misioni i OSBE/ODIHR-it si më të mirin që është bërë ndonjëherë për Shqipërinë. Në një konferencë për shtyp pak orë pas publikimit të raportit, kreu i qeverisë vlerësoi punën e ambasadores Glover, e kontestuar prej tij fillimisht për shkak të zgjedhjeve të vitit 1996. “Për sa i përket ambasadores Glover, nuk kam pasur asnjë problem personal, ka qenë një çështje parimore. Por, duke vlerësuar raportin këtu, sigurisht që po vlerësoj çdo anëtar të këtij ekipi, kryetaren dhe zëvendëskryetarin që ishin: zonja Glover dhe z. Grossruck, zëvendëspresident dhe të gjithë ata që morën pjesë. Unë jam i sigurt që raporti është produkt i punës, mundit dhe vlerësimit të tyre të ndershëm dhe objektiv”, theksoi Berisha. Sipas tij, “raporti evidenton të gjitha përparimet e bëra me infrastrukturën ultra moderne, listat e zgjedhësve, letërnjoftimet biometrike etj. Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri, një raport i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe Evropë”. Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje PS-së të tërhiqet nga vendimi i saj fillestar, i bojkotit, dhe të rikthehet në parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›