Legalizimi i shtesave me para dhe jo bono
05/02/2010 Kuvendi miratoi ndryshimet, 70 % e vlerës me letra me vlerë
Dispozitat ligjore kanë fuqi prapavepruese
Për shtesat e pallateve për sipërfaqet mbi 100 m2 pagesa e legalizimit do të bëhet jo me letra me vlerë, por me para në dorë, sipas çmimit të tregut. Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro propozimet e Komisionit të Ekonomisë, sipas të cilit, për ndërtimet jashtë vijës së verdhë dhe brenda saj, për sipërfaqe të caktuara pagesa të bëhej deri në 70 % me bono privatizimi dhe pjesa tjetër me lekë në dorë. Ndërkohë që drafti i Qeverisë parashikonte pagesën me bono në masën 50 % të vlerës. Konkretisht për ndërtimet jashtë vijës së verdhë: për të gjitha segmentet nga 0 deri në 500 m2 pagesa e tarifës të bëhet deri në 70 % me letra me vlerë dhe 30 % me para në dorë; për të gjitha segmentet me sip. mbi 500 m2 pagesa të bëhet sipas çmimit të tregut me para në dorë. Për ndërtimet brenda vijës së verdhë, ku kufiri ndarës është 300 m2: të gjitha segmentet deri në 300 m2, pagesa bëhet 70 % letra me vlerë; për mbi 300 m2 komisioni mendon që të vazhdojë përcaktimi i deritanishëm në ligj duke likuiduar 50 % të tarifës me letra me vlerë dhe 50 % me para. Komisioni i Ekonomisë propozoi edhe ndryshimin e dispozitës kalimtare, sipas së cilës, përfitimet e këtyre ndryshimeve t’i gëzojnë edhe ata të cilët e kanë mbyllur procesin e legalizimit para hyrjes së ndryshimeve të propozuara, në fuqi.
Moratoriumi
Kuvendi miratoi ligjin për moratoriumin sipas variantit të Qeverisë, pa marrë parasysh asnjë amendament, as atë të ministrit të Kulturës Ferdinad Xhaferri për përjashtimin nga moratoriumi të anijeve me vela, as atë të deputetit Fatos Hoxha për motorët e ujit. “Shqetësimi për motorët e ujit do të trajtohet në një tjetër nismë të Qeverisë”, tha ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Moratoriumi pezullon qarkullimin e të gjitha mjeteve private në sipërfaqet ujore të Republikës së Shqipërisë për 3 vjet. Po dje, Kuvendi miratoi ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi” dhe kontratën për blerjen e 5 helikopterëve nga shoqëria franceze “Eurocopter”. A. Lika