E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF cakton rregullat e të drejtave televizive të kategorisë superiore

TIRANë- Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur sot me anë të një njoftimi për shtyp se, duke filluar nga ndeshjet e kësaj jave, në të gjitha takimet e Kategorisë Superiore që transmetohen drejtpërdrejt nga “SuperSport”, nuk do të lejohet prania e kamerave të televizioneve të tjera për të filmuar pjesë të takimeve.
Sipas FSHF-së, “të gjitha klubet janë njoftuar për një vendim të tillë si dhe kanë marrë masat e domosdoshme për të ndjekur këtë udhëzim”.
Ndërkohë, sqaron FSHF, “përmbledhjet e rasteve të këtyre ndeshjeve do të ofrohen nga kompania “SuperSport” fillimisht pa pagesë për të gjithë transmetuesit televizivë të interesuar”.
“Përsa i përket ndeshjeve që transmetohen drejtpërdrejtë nga TVSH dhe ndeshjet që nuk transmetohen, prania e kamerave të televizioneve të tjera është e lejuar, deri në një vendim të dytë”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Ndërkohë, nisur nga disa njoftime të bëra ditët e fundit në media, Federata Shqiptare e Futbollit sqaron mediat dhe publikun se, “e drejta televizive për ndeshjet e futbollit, në kuadër të veprimtarive që organizon FSHF, është pronë e kësaj të fundit dhe mund të shfrytëzohet vetëm në marrëveshje me të. FSHF nuk do të tolerojë transmetimin e ndeshjeve nga operatorë televizive të paautorizuar. Në rast të kundërt, përgjegjësit do t’i nënshtrohen sanksioneve dhe legjislacionit në fuqi”, përfundon njoftimin e saj FSHF.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›