FSHF has veshtiresi per Antalian. Çela: Vetem 14 lojtare te konfirmuar

Kur kanë mbetur vetëm tri ditë nga fillimi i zborit dhjetë ditor që trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Baric do të zhvillojë me lojtarë kryesisht nga kampionati shqiptar dhe talente që aktivizohen nëpër klube të ndryshme europiane, Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka shpallur listën e futbollistëve që do të thirren për këtë grumbullim. Dhe kjo jo për faj të institucionit të futbollit por për faktin se klubet ku aktivizohen lojtarët kuqezinj nuk i lejojnë këta të fundit të marrin pjesë në këtë zbor pasi sipas tyre kjo nuk është një periudhë e lirë e lënë nga FIFA apo UEFA. Shefi i Ekipeve Kombëtare në Federatë, Besnik Cela sqaron situatën duke deklaruar se deri më sot janë konfirmuar vetëm 14 lojtarë. "Mund të them se kemi hasur shumë probleme përsa i përket marrjes së futbollistëve për grumbullimin dhjetë ditor që trajneri i kuqezinjve, Baric do të zhvillojë në Antalia nga 20-30 janar. Duke qenë se kjo periudhë në të cilën do të zhvillohet ky zbor nuk është parashikuar as nga FIFA dhe as nga UEFA klubet ku aktivizohen lojtarët nuk janë të detyruara ti lejojnë. Dhe kjo arrihet vetëm nëse ne biem dakord me skuadrat. Mund të them se deri më sot(dje) kanë konfirmuar ardhjen e tyre në këtë grumbullim 14 lojtarë dhe do të punojmë edhe këto ditë që të arrijmë të sigurojmë edhe disa futbollistë të tjerë. Armend Dallku dhe Debatik Curri e kanë konfirmuar ardhjen e tyre ndërkohë që Elvin Beqiri nuk vejn pasi është duke u përgatitur me ekipin e vet në Spanjë. Gjithashtu edhe talenti Jahmir Hyka e ka konfirmuar ardhjen e tij në Antalia. Ndërkohë që përsa i përket lojtarëve të Tiranës duke qenë se ekipi bardheblu po e zhvillon fazën përgatitore në Antalia besoj se do ta kenë të lehtë që të grumbullohen me kombëtaren. Nesër(sot) që do të vijë në Shqipëri edhe trajneri Baric do të diskutojmë edhe një herë dhe më pas do të shpallim listën përfundimtare" deklaroi shefi i Ekipeve Kombëtare, Besnik Cela.
Besar Bozgo