E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka, rast unik në mbarë globin, nuk merr rroge nga FSHF

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka që ka më tepër se tre vjet në këtë post nuk merr rrogë për punën që bën. Mund të duket e cuditshme por është mëse e vërtetë. Të gjithë mund të mendojnë se kreu që drejton futbollin shqiptar do të kishte një rrogë të majme për vetë pozicionin që ka në FSHF por Duka deri më sot nuk ka futur asgjë në xhep vecse ka ndihmuar lojën e topkëmbës në vendin tonë. Presidenti i Federatës ka një pagë të thjeshtë prej 30.000 lekësh në muaj si të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të "qeverisë" së futbollit dhe ajo që është më e cuditshme ka të bëjë me faktin që Duka prej më shumë se tre vitesh nuk e tërheq këtë shumë duke kontribuar sadopak në këtë mënyrë në zhvillimin e futbollit shqiptar. Pasi ajo që është më e rëndësishme në lojën e topkëmbës shqiptare ka të bëjë me faktin e mungesës së investimeve të mjaftueshme dhe si rrjedhojë kemi këtë infrastrukturë që kemi. Jo vetëm rrogën e Federatës që nuk e ka "shijuar" asnjëherë por kreu i institucionit të futbollit nuk ka as makinë të punës por përdor automjetin e tij personal. Vetë zëdhënësi për shtyp në FSHF, Lysien Nurishmi e konfirmon një gjë të tillë duke deklaruar se Armando Duka nuk merr nga futbolli por vetëm jep për futbollin shqiptar. "Presidenti i Federatës, Armando Duka që mga koha kur është në krye të institucionit të futbollit nuk e kamarrë asnjëherë rrogën. Të gjithë mund të mendojnë se ai ka ndonjë rrogë të "majme" por kreu i institucionit tonë ka një pagë 30.000 lekë në muaj aq sa e kanë të gjithë anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Por mund të them se Duka megjithëse ka disa vite në krye të "qeverisë" së futbollit nuk e ka marrë asnjëherë këtë shumë" deklaroi Nurishmi. Gjithashtu ky i fundit bëri të ditur se 1-shi i Federatës nuk ka as makinë të punës dhe përdor automjetin e tij personal. "Presidenti Duka nuk ka makinë që t'ia sigurojë puna për vetë postin që mban dhe përdor automjetin e tij personal. Të gjithë këto ai i bën për të mirë të futbollit. Mund të them se kreu i institucionit të futbollit gjithmonë ka dhënë dhe jep për futbollin shqiptar dhe asnjëherë nuk ka përfituar nga kjo lojë. Motoja e tij është që ta ndihmojë me të gjitha mënyrat zhvillimin e lojës së topkëmbës" përfundoi prononcimin e tij zëdhënësi për shtyp Nurishmi. Presidenti i FSHF-së, Armando Duka që kur ka ardhë në krye të futbollit shqiptar e ka ndihmuar me të gjitha mënyrat atë duke realizuar projekte, marrëveshje dhe duke i dhënë një impuls tjetër jo vetëm kampionatit tonë por edhe vetë kombëtares shqiptare. Nuk duhet harruar fakti që me ardhjen e Dukës në krye të FSHF-së, kuqezinjve ju bë e mundur që të drejtohen nga një trajner i huaj sic ishte Dosena duke vazhduar më pas me gjermanin Brigel që theu rekordin e grumbullimit të sa më shumë pikëve në një fazë eliminatoresh për Kampionatin Botëror, dhe tashmë me kroatin Oto Baric që është ndër teknikët më rezultativë dhe me përvojë në Europë. Ndërkohë që vetë Duka deklaroi përpara disa ditësh në një intervistë se do ta ndihmojë me të gjitha mënyrat futbollin dhe kombëtaren shqiptare duke thënë se prioriteti që ai dhe FSHF-ja kanë për këtë vit është ndërtimi i një stadiumi të ri dhe modern. Kreu i Federatës kërkoi që shteti të ndihmojë në këtë cështje me gjetjen e tokës pasi ai deklaroi se projekti është gati dhe pritet vetëm zbatimi i tij.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›