FSHF interesohet per dy futbolliste kosovare

Valdet Hasani ("Express")
Prishtinë, 4 maj — Numri i futbollistëve kosovarë në Kombëtaren
shqiptare shumë shpejt mund të rritet. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ditëve të fundit kanë shprehur interesim për dy lojtarë me prejardhje nga Kosova. Shefi i ekipeve kombëtare, Hito Hitaj ka konfirmuar për Express se FSHF-ja është e interesuar që fanellën kuqezi t'ia veshin portierit kosovar Etrit Berisha dhe mesfushorin Anel Raskaj.
"Në informacionet që kemi, këta dy cuna luajnë në Suedi dhe ne jemi të interesuar për ta në qoftë se ata dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë. Dyert e ekipeve kombëtare i kemi të hapur e vecanërisht për futbollistët kosovarë, të cilët dëshirojnë të luajnë për ngjyrat kuqezi", deklaroi Hitaj për Express të dielën.
Shefi i ekipeve kombëtare tregon se këta dy futbollistë do të vazhdojnë të vëzhgohen dhe varësisht nga dëshira e tyre do të fillojë procedura për pajisje me pasaportë shqiptare. Sipas Hitajt, drejtuesit e futbollit shqiptar gjithmonë i kanë trajtuar njësoj futbollistët nga Shqipëria dhe ata nga Kosova.
"Ne dëshirojmë të realizojmë strategjinë që kemi si federatë e futbollit. Shumë nga këta futbollistë që kanë luajtur në Kombëtaren shqiptare, janë projekt i kësaj strategjie që ne ndjekim për të mbledhur dhe për të afruar të gjithë futbollistët që kanë dëshirë të luajnë për ekipet kombëtare, si shqiptarë, edhe ata kosovarë, të cilët gjithmonë i kemi trajtuar njësoj", thotë Hitaj. Aktualisht pjesë e Kombëtares shqiptare janë pesë kosovarë, Arjan Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Besart Berisha. Ndërsa më herët fanellën kuqezi e kanë veshur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati dhe Blerim Rrustemi. Përvec Kombëtares A, futbollistë kosovarë ka edhe përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë, pjesë e së cilës është portier i Palermos, Samir Ujkani.
ETRIT BERISHA
Portieri 18-vjecar, Etrit Berisha mbron ngjyrat e ekipet nga elita e futbollit suedez, Kalmar FF. Ai në radhët e këtij ekipi është transferuar gjatë afatit kalimtar të dimrit nga skuadra prishtinase, 2 Korriku dhe llogaritet si një portier me të ardhme të madhe.
ANEL RASKAJ
Mesfushori-18 vjecar me prejardhje nga Prizreni, aktivizohet te skuadra Halmstad dhe nga suedezët vlerësohet si Zidane i ri. Anel Raskaj karrierën e ka filluar tek ekipi prizrenas Liria. Ndërsa në moshën 14-vjecare ka emigruar drejt Suedisë dhe është angazhuar në ekipin Leikin, derisa vetëm pas disa muajve ka kaluar në radhët e ekipit të të rinjve të Halmstadit.
Kurse që nga viti 2007 ai është pjesë e ekipit të parë.