E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri Avrami: “Për titullin flasim në fund”

Aromë titulli në kampin bardheblu. Fitorja e dytë në play off e arritur nga Tirana të premten në pallatin e sportit "Asllan Rusi" me rezultatin 63-79 ndaj të kuqve të teknikut Fagu i ka sjellë bardheblutë edhe më afër me kurorën e kampiones. Megjithatë trajneri i saj Roland Avrami kërkon të ruajë qetësinë në radhët e kryeqytetasve për derbin e tretë, i cili do të jetë përcaktues për ecurinë e finaleve. Një fitore tjetër e tyre dhe gjithcka e mbyllur në favor të Tiranës për këtë sezon sportiv. Një kthesë e Partizanit mund të rihapte edhe një herë rrugën për titullin kampion. Kreu i pankinës së Tiranës, Avrami ka qenë i kënaqur me lojën e basketbollistëve të vet pasi në 4 periodat e fundit u treguan më të kujdesshëm krahasuar me finalen e parë.
"Mund të them se në ndeshjen e dytë lojtarët tanë bënë më pak gabime taktike krahasuar me takimin e parë. Me pak fjalë zhvilluan një lojë më të mirë. Duhet të pranojmë se në sfidën e parë kishin më shumë përgjegjësi, ndërsa tek e dyta pati një farë qetësie në parket. Kjo shpjegohej edhe me faktin pasi vinim me një rezultat që ishte në favor të ekipit tonë. Megjithatë edhe sikur të humbnim nuk do të kishte shumë probleme pasi kishte edhe ndeshje të tjera në dispozicion. Dhe kjo qetësi ndikoi në zgjidhjen e shumë problemeve që hasëm herën e parë. Besoj se ndeshja tjetër mund të na gjej me një moral më të lartë sesa më të qetë. Sa për titullin ka akoma kohë pasi asgjë nuk ka mbaruar dhe kjo do të përcaktohet në fundin e saj", u shpreh tekniku Avrami për ‘Panorama Sport'. Përfundimisht në përballjen e radhës Partizanin nuk i mbetet gjë tjetër vecse fitores.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›