FSHF në kërkim të euro-milionave

Albania Sport- Fushatës kualifikuese Euro 2008 i kanë mbetur edhe dy ndeshje nga përfundimi i saj, ajo me Bjellorusinë (17 nëntor) dhe Rumaninë (21 nëntor), dhe pararelisht mbaron edhe e drejta televizive për këtë edicion. Katër ditë më pas, më 25 nëntor do të hidhet edhe shorti i Kampionatit Botëror, ku Shqipëria (e cila mund të jetë në vazon 4 të zonës europiane) do të jetë në pritje të kundërshtarëve të rinj. Për t'i paraprirë shortit dhe për të përfituar sa më shumë nga shitja e të drejtës televizive, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit do të diskutojë të hënën e ardhshme për shitjen e drejtës televizive për ndeshjet ndërkombëtare.
E DREJTA TELEVIZIVE - Në dy edicionet e fundit (Botërorin 2006 dhe Euro 2008)këtë të drejtë e ka fituar kompania e njohur gjermane "Sportfive", e cila ofroi për fushatën e fundit kualifikuese 2.8 milionë euro. FSHF kërkon sigurisht që kërkon ta shesë sa më shtrenjtë këtë të drejtë, pasi shorti mund t'i ofrojë edhe kundërshtarë të vështirë, por që nuk paguajnë shumë për ndeshjet e tyre me Shqipërinë. Rasti i Bullgarisë, Rumanisë, Sllovenisë që ofruan shumë pak për të blerë të sinjalit televiziv nga kompania "Sportfive" për ndeshjet e zhvilluara në Shqipëri, është një sinjali i duhur që FSHF-ja të shpejtojë për ta shitur të drejtën televizive përpara se të hidhet shorti në Johanesburg, pavarësisht se Shqipëria mund "peshkojë" kundërshtarë të mëdhenj dhe me financa të fuqishme si Gjermania, Anglia, Italia, Franca, që të katërta kundërshtarë potencialë të kuqezinjve për Botërorin 2008.
SPONSORI TEKNIK- Komiteti Ekzekutiv do të diskutojë edhe për sponsorin e ri teknik të Kombëtares. Burime pranë FSHF-së pohuan se ka shumë mundësi që të zgjidhet kompania italiane "Diadora". Aktualisht sponsor është kompania angleze "Umbro", ndërsa dy edicione më parë ka qenë ajo gjermane "Puma". "Umbro" mbulon të gjitha veshjet sportive të Kombëtares dhe përfaqësueseve të vogla, ndërkohë që "Tramondi" furnizon kuqezinjtë me topa futbolli. Firma italiane "Eton" ka të drejtën ekskluzive për veshjen zyrtare të Kombëtares. FSHF ka dhe sponsorë të tjerë. Sponsor Gjeneral është kompania celulare "Vodafone" dhe sponsor zyrtar është "Western Union", që sponsorizon përfaqësuesen shqiptare prej 11 vjetësh.