E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF nxjerr biletat e kombëtares on-line

SHKRUAN: Jeton Selimi 18-03-2011 11:06

Për herë të parë Federata Shqiptare e Futbollit do të shesë biletat e ndeshjeve të përfaqësueses kuqezi nëpërmjet internetit, për të shmangur kështu tregun e zi

Tifozët shqiptarë do t’i kenë tashmë të gjitha mundësitë për të blerë në internet, pra online, biletat për ndeshjet e ekipit përfaqësues të futbollit. Kjo është bërë e mundur për shkak të bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe kompanisë së specializuar “Tissolution”, bashkëpunim që është sendërtuar në faqen e internetit, “blinibiletat.com”. Për tifozët, do të jetë ndeshja ndaj Bjellorusisë në Tiranë, e para ku do të nisin të praktikohen me mënyrën e re të sigurimit të biletave. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së thotë se kishte ardhur koha për ndryshim, ndërsa përfaqësuesi i kompanisë që ofron shërbimin, Bashkim Shalla, flet pak më teknikisht. Rruga që të çon deri tek bileta (apo biletat e dëshiruara) nuk është e vështirë, ndërsa tavani i lejuar është deri në 10 bileta për të shmangur spekullimet në tregun e zi. Pasi hyn në faqe, duhet të regjistrohesh për të qenë përdorues me emër dhe fjalëkalim, duke plotësuar një formular të caktuar. Më pas zgjedh biletën dhe pagesa bëhet me kartë krediti dhe debiti dhe bileta do të merret në një nga 4 pikat që parashikohen të jenë në Tiranë. Paratë transferohen nga llogaria vetëm në momentin kur bëhet tërheqja fizike e biletës nga blerësi. Përveç Tiranës, kompania ka parashikuar të hapë edhe një pikë shitjeje në Prishtinë për tifozët kuqezinj nga Kosova. Ndërkaq, FSHF ka bërë me dije edhe çmimet e biletave për ndeshjen eleminatore të 26 marsit në Euro 2012, ndaj Bjellorusisë. Tribunat A dhe B do të kushtojnë 5 000 lekë, biletat në tribunën D2 janë vlerësuar në 1 000, ato në tribunat D1 e D3 zbresin në 700 lekë dhe për tribunat C dhe E, që janë prapa portave, çmimi do të jetë 200 lekë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›