E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSK, në shtator nisin veprimet

Në njëvjetorin e themelimit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, drejtuesit e kësaj ministrie vlerësojnë se është arritur progres i theksuar deri në funksionalizimin e Forcës së Sigurisë. Ministri Fehmi Mujota pohoi se zhvillimet në FSK po ecin në rrugën e duhur dhe se kanë hapur perspektivën e integrimit euroatlantik. "Forca e Sigurisë së Kosovës në shator do të deklarojë veprimet e para të operacioneve. Ne kemi një afat kohor kur duhet të arrihen të gjitha kapacitetet e sigurisë në kuadër të FSK-së dhe natyrisht që ne po bëjmë punën tonë legale. Janë dy procese të ndara. NATO ka obligimet dhe përgjegjësitë e veta dhe FSK po ngrihet në kapacitet e saj, sipas obligimeve kushtetuese. Për çdo gjë jemi të koordinuar dhe për asgjë nuk kemi nevojë të shqetësohemi", tha ministri Mujota. Në lidhje me rregullimin e përgjegjësive të autoriteteve të sigurisë në Kosovë, Plani i Ahtisarit, mbi të cilin mbështetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parasheh që ndryshimet eventuale rreth pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, pra ato që kanë të bëjnë me KFOR-in, duhet të bëhen pas konsultimeve me palët relevante dhe në përputhje me vendimet e Këshillit Veri-atlantik. Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, ka thënë se deklarimet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, për reduktimin e trupave të NATO-s në Kosovë, paraqesin një vlerësim të progresit të arritur në vend. FSK-së fillimisht do t'i lejohet që të mbajë armë të lehta, ndërsa mision i saj është që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t'i ndihmojë autoritetet civile, duke reaguar gjatë katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›