E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSK rekruton 1400 pjesëtarë të TMK-së

Prishtinë-Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka rekrutuar afro 1400 pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, informoi kabinetin qeveritar lidhur me zhvillimin e procesit për bërjen funksionale të FSK-së dhe shprehu falënderimet për mbështetjen e plotë nga NATO. Ai deklaroi se bordi seleksionues dhe Ministria e FSK-së do të vazhdojnë të mbikëqyrin procesin e përzgjedhjes së pjesëtarëve për të shmangur dhe korrigjuar lëshimet eventuale në këtë proces.

Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi rregulloren e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë, që do të funksionojë si organ mbështetës i Këshillit të Sigurisë. Kjo rregullore do të përcaktojë punën e këtij sekretariati, ndërsa struktura e tij do të vendoset nga sekretari dhe do t'i nënshtrohet aprovimit nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

Qeveria miratoi edhe projektligjin për themelimin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Në kuadër të këtij departamenti do të shkrihen Instituti i Mjekësisë Ligjore i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyra për Persona të Pagjetur dhe Mjekësi Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndër vendimet e sotme të qeverisë është edhe ndarja e 100 mijë eurove për të ndihmuar rindërtimin e shtëpive në Lagjen Kroi i Vitakut në veriun e Mitrovicës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›