FSK zhvillon ushtrimin “Luani i Shkathët”
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) zhvillon ushtrimin e vendkomandës (UVK) “Luani i Shkathët 4”.
Ushtrimi do të mbahet nga 24 -27 maj 2011, në tri lokacione: Prishtinë, Ferizaj dhe Istog.
Qëllimi i“Luanit të shkathët 4” është trajnimi i shtabeve, komandantëve dhe oficerëve në planifikim, organizim dhe realizim të stërvitjeve për të përmbushur misionin dhe detyrat, si dhe të zhvillojë aftësitë e komandimit, koordinimit gjatë stërvitjes për situatat e reagimit emergjent në situata të krizave dhe katastrofave elementare.
Në këtë ushtrim do të jenë të përfshira të gjitha njësitë e Komandës së Forcave Tokësore (KFT), të FSK-së, të cilat do të ushtrojnë në vendkomandë, me qëllim që të zhvillojnë aftësitë planifikuese dhe koordinuese të komandave si përgatitje për operacionet fushore të kërkim-shpëtimit, evakuimit, dekontaminimit, shërbime mjekësore, të xhenios dhe të sigurisë më qëllim të shpëtimit të jetës së njerëzve dhe minimizimin e pasojave.
Njësitë e përfshira në ushtrim janë: Komanda e Forcave Tokësore, Brigada për Reagim të Shpejtë, Brigada për Mbështetje Operacionale, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, Njësia Ndërlidhëse për Reagim ndaj Krizave, Policia e Forcës dhe Kompania e Mjekësisë.