Protestojnë të prekurit nga vërshimet
Banorë të lagjes "Kodra e Trimave" protestuan sot para ndërtesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës, një ditë pas vërshimeve nga reshjet e shiut.
Ata kërkuan nga Komuna që njëherë e përgjithmonë të rregullohen kanalizimet në këtë lagje, pasi reshjet me shi po shkaktojnë vërshime. Banorët kërkuan takim me Isa Mustafën, por në mungesë të tij foli nënkryetari, Adullah Hoti.
Ky i fundit tha se komuna do të vlerësojë dëmet e më pas do të marrë masa. Në ndërkohë, komisioni komunal ka filluar të dalë shtëpi për shtëpi për të vlerësuar dëmet.
Ndërkohë, vetëm në 20 shtëpi, dëmi arrin 30 mijë euro. Ndërkohë të pakontrolluara kanë mbetur edhe 100 të tjera në këtë lagje.
Për këtë arsye, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë shpreh shqetësimin për gjendjen e familjeve, të cilat pësuan nga vërshimet e ditës së djeshme në Prishtinë.
Nga monitorimi që ky institucion ka bërë, KMDLNj konstaton se dëmet më së shumti janë shkaktuar si pasojë e infrastrukturës së dobët dhe mungesës së mirëmbajtjes. Vërshimet kanë shkaktuar dëme në Lagjen e Spitalit, në Kodrën e Trimave, Fshatin Shkabaj dhe në disa rrugë të qendrës së qytetit.
KMDLNj ka ftuar organet e komunës së Prishtinës dhe kompanitë publike që janë përgjegjëse për shëndetin publik, ujësjellës-kanalizimet, rrymën dhe pastrimin e rrugëve të reagojnë menjëherë.
Parashikohen të reshura edhe më të mëdha
Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, ka paralajmëruar se të reshurat që do të përfshijnë vendin nga e hëna deri të enjten do të jenë shumëfish më të mëdha sesa ato që kanë rënë të dielën pasdite.
“Parametrat e parashikimit të motit të bëra nga Instituti tregojnë që vendi do të ballafaqohet me të reshura të furishme, që do të jenë evidente veçmas nga e hëna deri të enjten. Sasia e këtyre të reshurave do t’i kalojë ato që kanë rënë të dielën”, ka thënë Tahirsylaj.