E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina: Obama të anulojë takimin me Dalai Lamën

Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që në mënyrë të menjëhershme të tërheqin planet për takimin e presidentit, Barack Obama, me udhëheqësin e tibetianëve në mërgim, Dalai Lama. Pekini zyrtar ka kërkuar anulimin e takimit të parashikuar për në shkurt. Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët se presidenti Obama do të takohet me Dalai Lamën më 18 shkurt, pavarësisht kundërshtimeve kineze. Pekini akuzon Dalai Lamën se kërkon pavarësinë e Tibetit nga Kina, akuzë që hidhet poshtë nga Dalai Lama. Një situatë e tillë i ka rritur dhe më tej tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, tensione që janë shtuar edhe për shkak të mosmarrëveshjeve në fushën ekonomike, politike dhe ushtarake. Në fillim të shkurtit, Obama konfirmoi se do ta takojë Dalai Lamën, duke i injoruar paralajmërimet e Kinës. Pas këtij vendimi, Kina paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se çdarëdolloj takimi ndërmjet presidentit Barack Obama dhe Dalai Lamës, do t'i cënojë edhe më tepër marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve Kina, e cila i dërgoi trupat në Tibet në vitin 1950, e konsideron Dalai Lamën separatist, i cili kërkon vetëqeverisje për vendin e tij.
Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë acaruar nga shitja e armëve amerikane Tajvanit, mosmarrëveshjet tregtare dhe censurës që Kina i bën internetit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›