E Shtunë, 31 Tetor 2026

FT: Berlini kërkon që Greqia të heqë dorë nga sovraniteti fiskal

ATHINE - Gjermania kërkon që Greqia të heqë dorë nga sovraniteti në politikën fiskale dhe t’ia besojë një komisioneri evropian, para se të përfitojë një plan të dytë financiar shpëtimi, shkruan gazeta “Financial Times”, e cila ka siguruar një kopje të propozimit gjerman. 

Sipas raportit, të cilit i referohen mediat greke, një komisioner që do të emërohet nga ministrat e financave të eurozonës, mund të vërë veton ndaj vendimeve për buxhetin e miratuar nga qeveria greke.

"Mbështetja buxhetore duhet të shoqërohet me një komandë të rreptë dhe një sistem kontrolli", referohet në tekstin që citon gazeta, e cila është dërguar nga Berlini në kryeqytetet e vendeve të eurozonës të tjera. 

"Ballafaquar me përshtatjen zhgënjyese deri tani, Greqia duhet të pranojë një ekip europian për disa kohë," konsideron qeveria gjermane.

Në bazë të raporteve ekskluzive për gazetën, kontrolli financiar konsiderohet si pjesë e kushteve për paketën e dytë të ndihmës prej 130 miliardë dollarësh.

Projekti qarkullon, ndërkohë që po zhvillohen diskutime në Athinë për borxhin e Greqisë mes qeverisë dhe kreditorëve privatë, dhe drejtuesit evropianë priten të mblidhen të hënën në Bruksel për të miratuar një traktat të ri buxhetor evropian. 

Ndërkohë Greqia e përjashton mundësinë e transferimit të sovranitetit të politikës fiskale drejt Bashkimit Evropian. 

“Ekziston në të vërtetë një kërkesë jozyrtare për kontroll evropian të buxhetit të Greqisë”, tha burimi, i cili kërkoi të mos identifikohej. “Por, Greqia përjashton këtë mundësi”, shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›