E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarrfikësit dhe policët 6 orë “luftë” me flakët për të shpëtuar 500 banorë

Gjirokastër Zjarrfikësve të Gjirokastrës si dhe efektivave të policisë lokale, të mbështetur edhe nga banorë të zonës së Dropullit, u është dashur të “luftojnë” 6 orë me flakët për të shuar një zjarr masiv, i cili rrezikonte jetën e 500 banorëve. Zjarri që ka patur si shkak pakujdesinë e një mbledhësi bimësh medicinale është regjistruar në sipërfaqen kullosore, që ndodhet mbi fshatrat Zervat dhe Jorgucat, në zonën e Dropullit, Gjirokastër. Shuarjen e flakëve e vështirësonte edhe terreni malor, çka e bënte të pamundur ndërhyrjen e autoboteve zjarrfikës, duke patur si alternativë të vetme përdorimin e mjeteve rrethanore. Sipas dëshmitarëve okularë, zjarri është shfaqur mbrëmjen e së martës në një sipërfaqe kullosore mbi fshatin Zervat. Temperaturat e larta dhe terreni i thatë kanë bërë që brenda disa minutash flakët të përhapen me shpejtësi në të gjithë faqen e kodrës, duke rrezikuar të përfshinin edhe banesa në pjesën e sipërme të fshatit. Madje flakët kanë përshkuar edhe sipërfaqen e kodrës që ndodhet mbi fshatin Jorgucat. Të lajmëruar nga banorët, në drejtim të vendngjarjes kanë udhëtuar efektiva zjarrfikës, 30 forca policie si dhe dy autobote. “Pasi mbërritëm në zonën mbi fshatin Zervat dhe Jorgucat, pamë se flakët ishin përhapur gjithandej, si në drejtim të malit ashtu edhe të fushës”, thotë një prej efektivave zjarrfikës. Minutat e para të ndërhyrjes është bërë i mundur shpëtimi i një objekti kulti fetar, kishë, si dhe një çoban së bashku me tufën me 300 kokë bagëti, dele. Por si shkak i furisë së zjarrit, flakët kanë rrethuar pjesën e sipërme të Zervatit, duke u afruar fare pranë mureve të shtëpive të banimit. Pas vënies nën kontroll të zjarrit në fshatin Zervat, një vatër tjetër zjarri është shfaqur në kodrat e Muzinës, në dalje të fshatit Jorgucat. Sipas grupit hetimor, si pasojë e këtij zjarri u dogjën rreth 200 hektarë kullotë, një objekt kulti i vogël fetar që ishte në rindërtim, si dhe një kasolle bagëtish në fshatin Zervat, ndërkohë që nuk janë shënuar dëme në njerëz, në gjënë e gjallë dhe pronën private të banorëve. Paralelisht me punën për shuarjen e këtij zjarri masiv, efektivat e policisë kanë nisur hetimet edhe për zbardhjen e shkaqeve të tij. Fillimisht, specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë shoqëruar një 56-vjeçar nga Fieri me inicialet B.A., i cili po mblidhte bimë medicinale në zonën e përfshirë nga flakët. Bl.Sh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›