"Fabrika në vendin e gabuar, të nxirren përgjegjësit"
Presidenti i vendit, Bamir Topi, dha dje garancinë e tij, se ngjarja e Gërdecit do të hetohet nga organet kompetente deri në zbardhjen e plotë të saj. "Janë dy grupe prokurorësh, një nga Durrësi dhe një nga Tirana, të ngritur posaçërisht për ngjarjen në Gërdec dhe kanë marrë informacionet e para nga terreni", pohoi kreu i shtetit në një konferencë për shtyp. Topi, gjithsesi, refuzoi të japë detaje mbi hetimet që janë kryer deri më tani dhe rezultatin e tyre. "Hetimi është shumë kompleks, do të kapë shumë momente dhe për rrjedhojë nuk mund të kem të dhëna paraprake", vlerësoi ai. Duke konstatuar se fabrika ishte vendosur në vendin e gabuar, kreu i shtetit siguroi se ngjarja e ndodhur nuk do ta prekë rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. "Për sa i përket çështjes së anëtarësimit në NATO, ne kemi pasur mesazhe mbështetëse nga vende partnere, të cilat kanë ndjekur ngjarjen e djeshme (pardjeshme)" sqaroi Topi. Duke iu referuar edhe një mesazhi të marrë nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jap De Hot Shefer. "Ishte jo vetëm ngushëlluese, por edhe inkurajuese që situata të kalojë sa më shpejt", nënvizoi Presidenti Topi. Kreu i shtetit, në komunikimin e tij mediatik, la të kuptohet se ka inkurajuar kryeprokuroren Ina Rama në hetimin e këtij çështjeje deri në fund nga organi i akuzës. Sakaq, mësohet se me synim analizimin e hollësishëm të situatës do të mblidhet edhe Këshilli i Sigurimit për të vënë pikat mbi "i". Në të njëjtën linjë të fillimit të hetimeve, me qëllim zbardhjen e së vërtetës, ka qenë prononcimi i Kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, strukturat e shtetit duhen lënë të kryejnë në qetësi analizimin e situatës dhe të hetojnë lidhur me shkaqet që sollën tragjedinë. Po këtë deklaratë e ka bërë dje edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë vizitës së tij te të plagosurit në spital. Mënyrë kjo, sipas së cilës krerët më të lartë të shtetit kanë dashur t‘i japin dritën jeshilë organit të akuzës në punën e tij.