E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fabrizio De Andre... Ema Andrea, jo vetëm koincidencë në mbiemër

21/04/2005  Art-Muzikë-Teatër, por mbi të gjitha poezitë e mrekullueshme dhe muzikën e spikatur të Fabrizio De Andre, do të kenë mundësinë të shijojnë artdashësit kryeqytetas, sonte në Galerinë Kombëtare, nën interpretimin e aktores Ema Andrea dhe muzikantit Gjergji Mero, të drejtuar nga artisti italian Stefano Romano

"E kisha të qartë se puna ime do të ndërtohej mbi dy binarë të rëndësishëm; shqetësimi për drejtësi sociale, e cila nuk ekziston dhe iluzioni, për të marrë pjesë (në një farë mënyre) në ndryshimin e botës. E dyta u shkërmoq shumë shpejt, e para mbetet...". Ky është një pohim i bërë nga kantautori italian Fabrizio De Andre, vite më parë se të ndahej nga jeta, një nga figurat më të spikatura të muzikës italiane, i cili, për rreth 40 vite me radhë përçoi mesazhe të fuqishme socialo-filozofike nëpërmjet teksteve të këngëve të tij. Mafia, korrupsioni, hipokrizia, prostitucioni, abuzimi me lirinë njerëzore apo dhunimin e kësaj lirie, paragjykimet, por edhe tema të tjera do të ishin prezente gjatë gjithë krijimtarisë së tij, krijimtari e cila është mjaft aktuale në shoqërinë dhe jetën e përditshme shqiptare. Duke marrë shkas nga ky fakt, Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës organizon sot, në sallën nr.1, performancën "Art, Muzikë, Teatër". Një performancë, e cila ka edhe mbështetjen e Fondacionit Kulturor "Pro Helvetia". Drejtor i këtij projekti është Abaz Hado, drejtor artistik, Stefano Romano, ndërsa Buli Petromilo menaxhere e projektit. Aktorja Ema Andrea do të sjellë para publikut vargje nga krijimtaria e De Andre-s, nën shoqërimin muzikor të instrumentistit Gjergji Mero. Si vetë artistët, ashtu edhe komponentët artistikë që ata përfaqësojnë, synojnë të transmetojnë te publiku shqiptar mesazhet që vijnë nga krijimtaria e Fabrizio De Andre. Një traditë, e cila në artin shqiptar të viteve të fundit nuk ka hedhur ende rrënjë, madje është shumë larg... Poeti dhe kantautori De Andre, me filozofinë dhe talentin e tij i dha muzikës italiane një dimension evropian, duke fshikulluar për rreth 40 vite, një shoqëri të paaftë të shprehej për të ardhmen e saj, të shkatërruar prej korrupsionit politik, e varur tërësisht te televizioni, por duke shprehur në të njëjtën kohë shqetësimin dhe rebelimin e brezit të tij, me një varg dhe muzikë të niveleve më të larta, një krijimtari antikonformiste e shpesh anarkiste. Eshtë krejtësisht e dukshme që poezia e tij jo vetëm tingëllon aktuale, por, madje sikur të ishte krijuar për realitetin e sotëm shqiptar, ku pas një diktature-bishë, pasi një tranzicion-rrënues, i cili nuk dihet se kur do të marrë fund (në rast se nuk do të kemi marrë fund). Eshtë për t'u habitur, por krijimtaria artistike shqiptare e këtyre 15 viteve të fundit, jo vetëm që nuk ka asgjë për të shënuar në tërësinë e saj, pasi antikonformizmi, rebelimi, protesta u pasqyrua në nivele të ulëta, e paorganizuar, në përpjekje të vetmuara, të cilat nuk mundën të transmetojnë asgjë për t'u shënuar te shoqëria-foshnjë shqiptare, e cila nuk është zgjuar ende nga letargjia-diktaturë. Kënga shqiptare jo vetëm që nuk ka nxjerrë De Andre, Bob Dylan, Georges Brassen etj., kantautorë që frymëzuan breza të tërë, për të kërkuar drejtësi, ndalimin e luftës apo edhe shqetësime të tjera esenciale, por përkundrazi ka rënë në konformizëm të plotë me realitetin e papranueshëm e për më keq akoma, ka humbur, në tërësinë e saj, çdo identitet kombëtar...

Fabrizio... Ema...

Ndoshta është një rastësi që të dy këta artistë të kenë një mbiemër të përbashkët, por nuk ka aspak rastësi në lidhjen artistike midis tyre. Në karakterin e tyre artistik mund të gjesh karakteristika të përbashkëta, pasi, pavarësisht nga parametrat te të dy këto fizionomi do të gjesh, të paktën, forcën ekspresive dhe antikonformizëm. Ndoshta këto kanë qenë edhe arsyet që e bindën artistin italian Stefano Romana të bëjë këtë zgjedhje dhe jo vetëm për artistët, por kryesisht temën, ku edhe gjetja artistike plotësohet me një seri afishesh, mbi të cilat përkatësia në një "kategori sociale" vihet lakuriq dhe ironizohet nga ana kompozuese, me figura kukllash të përdorura normalisht për "party". Ky projekt i ri i Galerisë Kombëtare, synon të tërheqë sa më shumë të rinj, për t'i njohur ata me një nga mitet e fjalës dhe të muzikës, veçanërisht me idetë dhe mesazhet poetike dhe humane që De Andre transmetonte me artin e tij. Një projekt tepër interesant i Galerisë, i cili synohet të vazhdojë edhe më pas, për t'u shndërruar në një cikël, ku do të sillen para publikut shqiptarë poetë dhe kantautorë të tjerë të mëdhenj, si Bob Dylan, Georges Brassen etj. Brassen ka qenë idhulli i De Andre-s. Në një intervistë dhënë për "La Stampa", në tetor të vitit 1980, vetëm disa ditë pasi Brassen ishte ndarë nga jeta, ai deklaronte se "...edhe pse kam patur mundësinë, nuk kam patur dëshirën që ta njihja personalisht, për të mos u zhgënjyer. Për mua ishte një mit, një guidë, një shembull dhe prej tij iu afrova anarkizmit. Ai përfaqësonte vlera dhe na mësoi forma të tilla respekti, me të cilat nuk ishim ambientuar. Tekstet e tij mund të lexohen edhe pa muzikë. Për mua ishte si të lexoje Sokratin...".

Fabrizio De Andre, rebeli anarkist

Lindi në Gjenovë, më 18 shkurt 1940. Për shkak të luftës i kaloi vitet e para të fëmijërisë në shtëpinë e tyre në fshat, në Revinjano d'Asti. Kjo periudhë e shkurtër ishte sigurisht një nga periudhat më të rëndësishme formuese për të, si për jetën e lirë dhe pa kufizime, ashtu edhe për kontaktet e tij me natyrën dhe njerëzit e thjeshtë, të cilat do të jenë në të ardhmen dashuri, që do ta shoqërojnë për tërë jetën. Pas luftës, familja u kthye në Gjenovë, ku Fabrizio filloi të frekuentonte një kolegj fetar, por mosbindja ndaj disiplinës dhe ironia me të cilën u drejtohej murgeshave, e detyruan të atin ta çonte në një shkollë publike. E njëjta histori përsëritet edhe në ciklin e lartë, ku nuk tregonte zell për studimet. Pas ciklit të lartë vazhdon liceun klasik "Colombo", ku u dallua në lëndët letrare-filozofike. Në lice fillon kompozimet e para dhe në vitin 1948, babai i sjell nga Franca një disk të Georges Brassens. Nga ky kontakt me kantautorin francez, De Andre fillon leximin e autorëve anarkikë, që nuk do t'i braktiste më: Malatesta, Kropotkin e Stimer. Gjithashtu në botën e kënduar nga Brassens, ai gjente ata personazhe të nënshtruar dhe të vërtetë, që jetonin në lagjet e rëndomta të qytetit të tij dhe që më tej do të gjejnë hapësirë, mirëkuptim dhe dinjitet në këngët e tij. Regjistrohet në universitet, por, në fakt, ditët i kalonte me muzikën dhe leximet (Villon, Dostoevskij dhe gjithmonë Bakunin e Stimer). Në 1958 kishte kompozuar "Nuvoe barocche", që ai do ta quante më vonë "mëkatet e rinisë", por edhe në këto fillime ai kompozon muzikë intelektuale dhe njëra prej këtyre "La ballata del'Miche", mbetet në mos një nga më të bukurat, një nga këngët më sinjifikative. Duke kujtuar këtë periudhë, më vonë do të shprehej: "E kisha të qartë se puna ime do të ndërtohej mbi dy binarë të rëndësishëm; shqetësimi për drejtësi sociale, që nuk ekziston dhe iluzioni për të marrë pjesë në ndryshimin e botës. E dyta u shkërmoq shumë shpejt, e para mbetet". Në 1962 martohet me Enrica Rignon-in dhe nga kjo martesë lind djali Cristian, i cili sot ndjek gjurmët e të atit dhe është muzikant.

Një hov të jashtëzakonshëm pati në fillimet e karrierës së tij, kur Mina këndoi një nga këngët e tij "La canzone di Marinella". Vazhduan sukseset e mëtejshme: "La guerra di Piero", "Il testamento", "La canzone dell amore perduto", "La citta vecchia", "Carlo Martello" etj. Në vitin 1975, De Andre, që kishte refuzuar gjithmonë përballjen me publikun, për herë të parë dha një koncert live dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm. Vazhdon të kompozojë albumë dhe këngë të suksesshme, si "Indiano", "Creuza de mil", album i cili nga shumë kritikë konsiderohet si kryevepra e tij. Jep koncerte e shkon në turne bashkë me djalin Cristiano. Në vitin 1992, me rastin e 500-vjetorit të zbulimit të Amerikës, ftohet të këndojë bashkë me Bob Dylan, por ai refuzon, duke kujtuar shfarosjen e indianëve nga ana e të bardhëve, edhe pse kjo s'kishte të bënte fare me Bob Dylan, të cilin e vlerësonte shumë. Në verën e vitit 1998 ndërpret turneun, me rastin e prezantimit të albumit "Anime salve", për shkak të sëmundjes së pashërueshme. Vdes disa muaj më vonë në një spital milanez. Një turmë e madhe prej dhjetëra mijëra vetësh e përcollën në funeralin e tij, më 13 janar 1999, ku valviteshin flamuri i Gjenovës (skuadra e zemrës) dhe flamuri anarkist (dëshmi e "besimit" të tij politik, ose më mirë e "mënyrës së tij të të jetuarit").

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›