E Hënë, 2 Nëntor 2026

Memia-Harasani nisin replikat

21/04/2005  PD: Kreu i KESH një nga zyrtarët e lartë që iu vë gjoba taksapaguesve shqiptarë

PS: Rivali njeh vetëm gjuhën e armëve, ftoj të denoncojmë shkelësit në KESH

Fillon debati elektoral mes kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste dhe atyre të Partisë Demokratike. Tirana, e cila pa frikë mund të cilësohet arena e përplasjeve elektorale sapo ka shënuar akuzat e ndërsjella të dy prej kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Mes kandidatit të PS-së, Andis Harasani dhe kandidati i PD-së, Shaban Memia, tashmë kanë filluar luftën për të fituar mandatin e deputetit në zonën elektorale numër 36 në kryeqytet. Gjatë një deklarate për media, Memia e ka cilësuar drejtorin e Korporatës elektroenergjetike të Shqipërisë si një element kriminal të ekonomisë. Nga ana e tij, Harasani shprehet se rivali i tij politik njeh vetëm gjuhën e armëve. Gjithsesi, debatet mes kandidatëve të PS-së dhe të PD-së, tashmë, më tepër se me akuza të ndërsjella, duket se do të zhvendosen me ballafaqim alternativash.

Përplasja

Memia ka akuzuar dje Harasanin si “një nga zyrtarët e lartë që iu vë gjoba taksapaguesve shqiptarë, duke caktuar shuma të larta afrofe dhe duke vendosur dy fatura të energjisë elektrike, pastaj shkon para viktimës së tij dhe i tregon se ka para dhe kërkon në mënyrë shumë djallëzore të blejë dinjitetin e votuesve, gjë e cila është e papranueshme". I kontaktuar nga “Metropol“, Harasani, lidhur me këtë deklaratë, është përgjigjur se, “nëse Shaban Memia ka fatura të tilla të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria e ftoj që do mos i mbajë në xhep, por t'i dorëzojë në organet përkatëse për të vijuar procedurat penale. Në ato raste që gjatë drejtimit tim të KESH-it, kam hasuar shkelje nga punonjës të KESH-it i kam hequr nga puna personalisht. E ftoj rivalin tim si qytetar që të bashkëpunojë më KESH-in për t'i dhënë fund aferave të tilla dhe jo të ngelet vetëm në kuadër të deklaratave“.

Alternativa

Kandidati i PS-së, Harasani, shprehet se strategjia e tij elektorale për zonën 36 të kryeqytetit bazohet në “projekt-investime për fusha të ndryshme, biseda me çdo banor të zonës për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për këto do të hartojmë së bashku një strategji lokale”. Harasani shprehet se një nga çështjet kryesore të punës së tij do të jetë dhe “intensifikimi i punës që kjo zonë të mos cilësohet më si informale, por të quhet pjesë e kryeqytetit”. Aktualisht, kandidati socialist në njësinë numër katër të Tiranës ka filluar punën për të përgatitur terrenin për fushatë elektorale. Ndërsa Memia në qendër të strategjisë së tij ka vendosur ndihmën për biznesin dhe ndikimin për të ulur taksat. Kjo, sipas tij, do të sjellë rritje të punësimit që sjell dhe një zhvillim më të madh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›