E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI refuzon të përjashtuarit e PS

21/04/2005  Meta kërkon verifikimin e listrës së votuesve

Lëvizja Socialiste për Integrim, deklaron se nuk do të pranojë të përjashtuarit nga lista e PS-së të kandidojnë për të. Por i fton ata që të jenë anëtarë të LSI-së. Gjithashtu kjo parti kërkon që përfaqësues të saj të jenë pjesëmarrës në “grupet e verifikimit të listave të zgjedhësve”, të ngritur nga Komisioni parlamentar i Kuvendit. Sipas kreut të LSI-së, Ilir Meta, kjo “do të bëhet për t’i dhënë një mundësi kredibiliteti procesit të verifikimit të listave, pasi po vërehen strategjitë e përsëritura të partisë në pushtet për të manipuluar listën e zgjedhësve, me qëllim për t’u mohuar të drejtën e votës të gjithë shqiptarëve, që mendojnë ndryshe dhe për t’i dhënë mundësinë për të votuar më shumë se njëherë përkrahësve të saj". Meta ka dënuar shkeljet e rënda administrative dhe penale të kryera nga drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, duke kërkuar që të merren masa dhe kallëzime për ndjekje penale të gjithë shkelësve të ligjit. Përfaqësuesi më i lartë i LSI-së u kërkon të gjithë qytetarëve shqiptarë që “me përgjegjësi qytetare ndaj vendit dhe demokracisë, të verifikojnë emrat e tyre në lista dhe të kontaktojnë me shtabet e LSI-së në kryeqytet dhe në të gjithë vendin". Meta ka deklaruar se për çdo informacion që LSI-ja do të ketë për shkeljet e mundshme që do t'i bëhen listave të zgjedhësve, ajo do të bëjë kallëzimet përkatëse në organet e drejtësisë. “Të jeni të sigurtë që ne jemi seriozë në premtimin tonë për të nxjerrë përpara drejtësisë, tani dhe pa diskutim më vonë, të gjithë shkelësit e ligjit dhe urdhëruesit e manipulimit të listave zgjedhore", tha Meta. LSI paraqiti dje 12 emrat që do të konkurrojnë në kryeqytet. Pëllumb Xhufi, Sokol Axhemi, Petrit Vasili, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Monika Kryemadhi, Sokol Nako, Ilir Dashi, Etleva Bisha, Viron Bezhani, Adrian Dule dhe Armond Halebi do jenë konkurrentët e LSI.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›