E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fabulous” titullohet ekspozita e Helidon Halitit në Prishtinë

“Fabulous”, titullohet ekspozita e piktorit më prodhimtarë të viteve të fundit. Ai është cilësuar si piktor i ngjyrës dhe i temës së përrallave, legjendave dhe baladave shqiptare. Haliti është shfaqur me ekspozitën më të fundit në Prishtinë. Karriera e tij fillimisht është përqëndruar jashtë kufijve dhe më vonë në Shqipëri. 26 punime të piktorit Helidon Haliti, do të qëndrojnë për të gjithë artdashësit e Prishtinës në Muzeun e Prishtinës, Kosovë, deri më datën 28 dhjetor 2009. Punime në vaj dhe akrilik, ku ndihet natyrshëm peneli i një piktori të sigurt në artin e tij. Artisti ka jetuar dhe punuar një kohë të gjatë në Greqi, ndërsa ka ekspozuar në galeritë e Amsterdamit “Axell Gallery” dhe “George C-ent Art Galery”. “Helidoni shprehet se “Piktura është luks dhe duhet ekspozuar si duhet”. Sapo ka përfunduar katalogu me veprat dhe punën e piktorit, kuruar nga Muzeu Mezuraj, në një parathënie të kujdesshme nga dr. Moikom Zeqo, studjuesja Zana Varvarica dhe një përshëndetje e veçantë nga shkrimtari, Ismail Kadare, që krijon një lidhje impresionuese mes pikturës së Halitit dhe asaj ç’ka ajo përcjell. Në fillim të marsit ai ishte prezent në Galerinë “Mezuraj”, me ekspozitën e parë shqiptare, ku u paraqiten rreth 80 punime të autorit, disa prej të cilave, pronë e “Muzeut “Mezuraj”. E veçanta e artistit mbeten ngjyrat e ngrohta në piktura të përmasave 110x100 dhe 100x120. Temat dhe gjetjet në kompozime janë veçantia e stilit Haliti. Piktura të Helidon Halitit gjenden në Muzeun Mezuraj, për të cilin artisti shprehet se “Në momentin kur pikturat prekin muzeun, atëherë ato vlerësojnë veten”.

22 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›