E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kthim në tempullin e shenjtë”, një film dokumentar kushtuar Spahivoglit

Mbrëmjen e së dielës, në Teatrin Shqiptar të Shkupit, në një rreth të ngushtë artistësh dhe në një atmosferë intime kujtimesh, është shfaqur filmi dokumentar “Kujtim Spahivogli; Kthim në tempullin e shenjtë”. I realizuar në vitin 2005, me regji të Namik Ajazit, skenar të tij dhe Ferdinand Radit, dokumentari i kushtohet Spahivoglit si regjisor, dramës së tij artistike dhe njerëzore. Kujtimi i tij ka mbetur i gjallë në teatrin e Shkupit, në njerëzit që patën mundësi të punonin me të në vitin 1972, kur regjisori kishte ardhur në Shkup për të vënë në skenë “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës. Në qytetin e mbuluar me borë, dera e teatrit është hapur për “rikthimin” e Spahivoglit. “Besoj që ngasja e parë për ta bërë këtë premierë në Shkup më ka lindur që në momentin kur ne xhironim filmin për të madhin Spahivogli. Kujtoj që ka qenë fund nëntori dhe ne shkuam atje pasi kishim rënë dakord me drejtorin e atëhershëm të Teatrit Shqiptar, aktorin Bajrush Mjaku, i cili na mundësoi që të shikonim ato pak arkiva që ishin nga shfaqja. Shkuam me mendimin për të gjetur një copëz të vogël të jetës artistike të Spahivoglit dhe mua më ngacmoi mjaft ideja se ata pak aktorë që mundën të vinin në atë nëntor të ftohtë në Shkup kishin udhëtuar me kilometra të tëra, kishin sjellë me vete gazeta të kohës dhe foto, por mbi të gjitha kishin një emocion të jashtëzakonshëm kur flisnin për figurën e Kujtimit. Ndaj aty për aty vendosëm së bashku me Valter Qarrin, operatorin e filmit, ta sillim edhe në Shkup”, u shpreh regjisori Namik Ajazi. Nostalgjisë së rrëfimeve të artistëve përmes ekranit, Agim Zajmi, Gëzim Kame, Bajrush Mjaku, Timo Flloko, të akademikut Ali Aliu i janë bashkuar edhe të pranishmit në sallë, një pjesë e të cilëve e kishin njohur nga afër, e të tjerë që kishin dëgjuar të flitej për të. Ndonëse në një ditë të ftohtë dhjetori, Kujtim Spahivogli është pritur me nostalgji në këtë “rikthim” të tij në Teatrin Shqiptar të Shkupit.

22 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›