Festivali i 2-të i Filmit Shqipfolës, një dialog mes kineastëve
Izaura Ndoj
Kjo është hera e dytë që një program i plotë i Kinemasë që flet shqip me prodhimtari më të fundit paraqitet për shikuesit në Greqi. Festivali i 2-të i Filmit Shqipfolës që u organizua në Athinë më 17-20 dhjetor 2009, është një ndër aktivitetet që njeh kulturën greke me realitetet shqiptare, nëpërmjet filmit. Ky aktivitet vjen pas suksesit që pati Festivali i parë, i cili është zhvilluar në Maj 2007, dhe pati një jehonë të madhe në mediat greke. Gjatë ditëve të Festivalit të 2-të të Filmit Shqipfolës në Greqi janë prezantuar filma të arrirë dhe fitues çmimesh ndërkombëtare. Një repertor i larmishëm iu është shfaqur publikut, duke sjell pranë tyre disa nga regjisorët më të mirënjohur përfshirë ajkën e brezit të ri të kineastëve shqiptarë. Kjo nismë e organizuar nga komuniteti i emigracionit në Greqi ka startuar në fillesën e një tradite të përsëritshme, vit pas viti në të mirë të shkëmbimit të përvojës, njohjes së ndërsjellët, integrimit, dhe lidhjes së urave midis artistëve shqiptar dhe atyre Grek, por edhe midis organizatave shqiptare midis vetvetes dhe me vendorët. Mbi të gjitha festivali vjen si një fjalë e ngrohtë midis bashkësisë Shqipfolëse në Greqi e cila po tregon shenja pjekurie dhe bashkëpunimi pozitiv si qytetar të vërtet të kryeqytetit shumë kulturor Grek. Gjatë këtyre ditëve ka pasur të ftuar nga fusha e filmit dhe emra të shquar të artit shqiptarë. Ata janë munduar të sjellin sa më afër kinemanë shqiptare për publikun artëdashës të komunitetit shqiptar në Greqi. Shfaqja e ekspozitave figurative, koncertet kualitative, shfaqjet teatrore të shumta, prodhimi i filmave, botimi i qindra librave e fillimi i themelimit të Festivaleve kinematografike, ridëshmon për një rilindje të artit shqiptar nga komuniteti shqiptar në Greqi. Shfaqja në Athinë e 21 filmave shqiptarë, pjesa më e madhe e tyre marrë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Tiranë, në kopje 35mm celuloidi, tregon seriozitetin dhe tendencën për të qenë koherent në evenimentet kulturore që kapin kinematografinë shqiptare. Prodhimet e fundit të kinematografisë shqiptare ishin prezent në këtë festival, si “Gjallë”, “Kronikë provinciale”, “Sekretet”, “Koha e kometës”, etj. Një festival kinematografik që në thelb është panoramë e vlerave të kinemasë sonë, sigurisht që provokon debat dhe sjell një dialog ndërmjet shteteve tona ballkanike. Festivali pati si synim afrimin e kineastëve, me qëllim që të dialogojnë, të kontaktojnë me krijuesit, të takohen me shumë njerëz, të dëgjojnë e ndjekin aktivitete paralele që zhvillohen brenda ambienteve të festivalit, promovime librash, albume muzikore, Master Class rreth subjekteve e prodhimeve filmikë, atribut për autorë të ndryshëm etj.
22 Dhjetor 2009