E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk do të ketë zgjedhje pa karta

 

Aristir Lumezi

“Nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri pa karta identiteti”. Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, tha dje se PS-ja nuk do të ketë zgjedhje pa karta identiteti, të cilat do t’i jepnin në tavolinë qeverisë rezultatin e zgjedhjeve. “Nuk do ketë zgjedhje në Shqipëri, prandaj është hedhur ideja e protestave për mbrojtjen e votës së lirë, me të cilat kryeministri Berisha, i cili po bën shurdhin gjatë këtyre ditëve, do të mundë të fillojë lojën elektorale me një rezultat tashëm të parafabrikuar në tavolinë, duke përdorur karta identiteti. Pra, siç degjeneroi ideja e certifikatave, pra sesi në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ku tendenca për të manipuluar me certifikata u ezaurua, kështu do ndodhë dhe me kartat e identitetit. Pra, PS-ja do të vazhdojë me një veprim shumë intensiv të mos lejojë që kartat e identitetit të përdoren nga PD-ja në favor të saj”, tha dje Islami i ftuar në një studio televizive. Duke përsëritur qëndrimin e PS-së për mos shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Islami tha se socialistët i përmbahen përcaktimit kushtetues për zhvillimin e tyre. Ishte sekretari socialist për çështjet zgjedhore që paralajmëroi qeverinë një javë më parë, se procesi i pajisjes së shtetasve pa pasaportë me karta falas po hynte në një rrugë të dështuar, duke përcaktuar afate kohore për të vepruar, të cilat ndodhen tashmë në limitet e tyre. Socialistët ende nuk shprehen hapur për bojkot të zgjedhjeve, për t’i dhënë ende kohë qeverisë të veprojë, edhe pse dy ditë më parë Islami u shpreh se kjo është java e fundit brenda të cilës qeveria duhet të marrë vendimin për karta falas, ndryshe procesi do të konsiderohet i dështuar. “Sot për sot jemi të fokusuar, meqenëse edhe pak ditë nga kjo javë ka hapësira mbi bazën e kapaciteteve teknike dhe teknologjike të realizohet pajisja e të gjithë shtetasve pa pasaportë, nëse ky mekanizëm do të lehtësohej përmes heqjes së taksës së votës, kjo do të ishte ajo për të cilën kemi nevojë. Asnjë deklarim tjetër për të shpërqendruar vëmendjen nuk do më lejohej mua dhe askush tjetër për të thënë opsione të tjera hipotetike. Ne kërkojmë që qeveria të japë përgjigje përfundimtare se çfarë do të bëjë me kartat e identitetit”, u shpreh dje Islami. Partia Socialiste përmes sekretarit të saj shprehet e vendosur për të mos lejuar qeverinë të përdorë në favor të saj kartat e identitetit, duke pajisur në mënyrë selektive shtetasit. “Nëse kryeministri Berisha do të vazhdojë të bëjë shurdhin për çështjen e pajisjes me karta falas të atyre shtetasve që nuk kanë pasaporta, deri në datën 28 qershor 2009, nëse do të jetë ndryshe, e përsëris, ne nuk do të lejojmë që zgjedhjet të jenë të tilla, që të preket rezultati i zgjedhjeve nëpërmjet përdorimit të kartave të identitetit. Nuk do të ketë zgjedhje nëse Berisha do të realizojë, do të synojë ose do të tentojë të zhvillojë zgjedhje që apriori janë të lira dhe të ndershme, por jashtë çdo standardi demokratik, kjo është një çështje që ka marrë një përgjigje të prerë se nuk do të ndodhë”, u shpreh Islami. Sekretari socialist hodhi poshtë nga ana e tij komentet se Partia Socialiste tenton të shtyjë zgjedhjet e 28 qershorit, duke u shprehur se kjo ka qenë një tentativë e maxhorancës që në kohën e amendimeve kushtetuese kur u përcaktua dhe data e zgjedhjeve. “Ne jemi të angazhuar dhe të përgatitur që zgjedhjet të zhvillohen në 28 qershor. Ka pasur tentativa gjatë ndryshimeve kushtetuese nga maxhoranca për të lënë hapësira që zgjedhjet edhe të mund të shtyheshin, kështu që shtyrja e zgjedhjeve është e komplikuar edhe nga pikëpamja kushtetuese, por dhe nga pikëpamja e imazhit të vendit mund të konsiderohen të pamundura”, tha Islami. Ai i bëri apel qeverisë vetëm të përmbushë detyrimin ligjor të pajisjes së të gjithë shtetasve me karta identiteti, pasi në fillim të procesit përfaqësues të maxhorancës janë shprehur të gatshëm për pajisjen me karta deri në zgjedhje të 3 milionë shtetasve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›