E Diel, 1 Nëntor 2026

Fadroma e kromit shtyp për vdekje nënën e 4 fëmijëve



BULQIZE/ HASAN PASHA

Aksident tragjik në stoqet e kromit në qytetin e Bulqizës. Një 45-vjeçare, e cila mblidhte mineralin për një firmë në qytet, është përplasur nga fadroma. Ajo gjeti vdekjen disa orë më vonë në Spitalin Ushtarak, duke lënë jetimë 4 fëmijë. Ngjarja e rëndë u shënua në orët e mesditës, viktimë e së cilës është Marjana Rushiti, banore e qytetit të Bulqizës, teksa ajo punonte për të seleksionuar krom në një subjekt privat të licencuar.
Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes sqaruan për gazetën "Panorama" se Rushiti dhe shumë gra të tjera në nevojë të Bulqizës vijonin normalisht punën për përzgjedhjen e kromit dhe veçimin e tij nga gurët dhe inertet e tjera. "Po punonim të gjitha në fund të stokut të kromit. Fadroma e firmës me kovën e saj shpërndante në një shesh të vogël materialin që e zbriste nga masivi. Marjana me sa kuptuam ka qëndruar prapa fadromës. Duket se as drejtuesi i mjetit nuk e ka vënë re gruan, se ajo ndodhej pas. Gomat e fadromës kanë kaluar mbi trupin e nënës së katër fëmijëve. Kemi bërtitur me zë të lartë kur kemi parë Marjanën poshtë mjetit, por ishte tepër vonë. Ajo humbi ndjenjat në moment. E morëm në krah, e vumë në një makinë dhe e dërguam në spitalin e qytetit", tha një shoqe e të aksidentuarës. Dërgimi në spitalin e Bulqizës ka qenë një formalitet, pasi këtu mungojnë mjekët kirurgë dhe specialistë të tjerë të domosdoshëm. Drejtuesit e shëndetit publik kanë kryer ritin e zakonshëm. Kanë kërkuar dërgimin e Marjana Rushitit me helikopter drejt Spitalit Ushtarak. Mësohet se 45-vjeçarja kishte pësuar dëmtime serioze në trup, të cilat në orët e pasdites i shkaktuan vdekjen. Kushtet e rënda ekonomike e kishin detyruar Marjana Rushitin të punonte çdo ditë në stoqet e kromit, duke sfiduar motin e keq, kushtet e rënda të punës dhe pagesën simbolike. Sipas shoqeve të saj, Rushiti ishte e divorcuar dhe rriste e vetme 4 fëmijë. Policia lokale ka mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes. Fillimisht ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe pronaren e firmës dhe më pas ka marrë dëshmi të shumta nga punëtorët. Ekspertë të policisë thanë se ngjarja në fjalë ka ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të sigurimit në punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›