E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, FIFA “grabit” Afrikën



Gjithçka për paratë. Billi Uailder iu deshën 10 minuta reflektim për të kuptuar se Valter Matau do të përzgjidhej në listën e njerëzve të FIFA-s dhe Xhek Lemon do ishte përfaqësuesi i Qeverisë afrikane.
Ajo çka po del në dritë, dy javë pas fillimit të Botërorit, është një “martesë” interesash midis shtetit organizator të këtij evenimenti sportiv dhe drejtuesve më të lartë të futbollit ndërkombëtar. Sipas një bilanci provizor të orëve të fundit, rezulton se FIFA është e përfshirë në një situatë aspak të këndshme. “U detyruam që t’i krijonim FIFA-s lehtësira fiskale si dhe të reduktonim taksat, por megjithatë, për shkak të menaxhimit të keq të ardhurave dhe strategjive financiare të gabuara, ka shumë mundësi që Afrika e Jugut të përballet me një humbje të madhe ekonomike në fund të Botërorit”, pohon një zyrtar afrikano-jugor. Nëse kjo përkthehet në shifra, do të thotë se përfitimet e FIFA-s llogariten në rreth 2.7 miliardë euro.
“Botërori, – ka shpjeguar duke u mbrojtur zëdhënësi për shtyp i FIFA-s, Nikolas Maingo, - përbën burimin kryesor të të ardhurave për ne. Me këto para ne menaxhojmë të gjitha aktivitetet deri në Botërorin e ardhshëm, që do të mbahet në Brazil në vitin 2014”. 75% e këtyre parave do të investohen për të zhvilluar futbollin në vende të ndryshme të botës. Por, nuk do të hidhet asnjë lek në Afrikën e Jugut dhe ky është problemi kryesor. Ky shtet shpenzoi rreth tetë miliardë euro për të garantuar zhvillimin në kushte normale të këtij evenimenti sepse ndërtoi 6 stadiume të rinj, restauroi katër stadiume të tjerë dhe investoi fuqishëm në infrastrukturë dhe në transport. Tani ky vend rrezikon falimentin total, pasi rrezikon që nga Botërori të humbasë dy miliardë euro.
Afrika e Jugut ankohet se nuk ka shumë liri veprimi, pasi ia ka lënë thuajse gjithçka në dorë “ushtrisë së FIFA-s”, që të manovrojë me të ardhurat. Për përfitimet në hyrje dhe në dalje të të gjitha sipërmarrjeve dhe firmave, përfshi këtu edhe të drejtat TV dhe të drejtat e ritransmetimit, nuk ka asnjë taksë në Afrikë dhe rrjedhimisht nuk ka as të ardhura për shtetin. Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se shumë sponsorë dhe investitorë derdhin para vetëm te FIFA për të reklamuar biznesin e tyre, atëherë situata bëhet akoma më alarmante. Mjafton të kujtojmë këtu faktin që disa vajza holandeze i bënë një reklamë birrës “Bavaria”, pa marrë lejen e FIFA-s. Ato jo vetëm që u dëbuan nga stadiumi, por tani janë edhe në ndjekje penale. “Për ne nuk ishte një problem edhe aq i madh, – ka pohuar Riç Mkhond, kryetari i komitetit organizator të këtij Botërori, – por ndërmorëm masa për të respektuar të drejtat e firmave që kanë paguar një kuotë të caktuar te FIFA”. Pra me pak fjalë, ajo që komandon gjithçka në këtë rast është FIFA, ose e thënë ndryshe: një shtet brenda shtetit. Për më tepër, FIFA nuk duket se është shumë e shqetësuar sa i përket super-buxhetit që lidhet me shtimin e personelit të policisë private të drejtuar nga kjo organizatë. Një tjetër debat i nxehtë është edhe fakti që duhen rreth 12 milionë euro të tjera për të paguar orët shtesë të policëve që po punojnë me dy turne. Shteti afrikan kërkon që gjysmat e këtyre parave t’i paguajë FIFA, por kjo zor se do të ndodhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›