E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Ushtarakëve t’u paguhen qiratë’



Avokati i Popullit i rekomandon ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ndryshimin e një urdhri të nxjerrë prej tij, në lidhje me të drejtën e kompensimit të qirasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të AP-së, ndërsa mësohet se rekomandimi është dërguar pak ditë më parë në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas rekomandimit, ministri aktual i Mbrojtjes, në korrik të vitit 2009 ka nxjerrë një urdhër, në bazë të një vendimi të mëparshëm të Këshillit të Ministrave nr. 497, datë 08.04.2009. Sipas urdhrit të ministrit, përfitues të kompensimit të qerasë së banesës janë vetëm kategoritë e ushtarakëve që gëzojnë statusin e oficerit. Por, sipas avokatit të Popullit, VKM-ja mbi bazën e të cilit është nxjerrë urdhri, i njeh të drejtën për të përfituar kompensim qeraje dhe për dy kategori të tjera ushtarakësh: nënoficerëve dhe ushtarëve profesionistë. Referuar këtij fakti, AP-ja i rekomandon ministrit të ndryshohet urdhri i nxjerrë prej tij dhe përfshirja në të drejtën e përfitimit përveç oficerëve, nënoficerëve dhe të ushtarëve profesionistë.
NDRYSHIMI
"Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.497, datë 08.04.2009 'Për disa ndryshime në Vendimin Nr.524, datë 30.07.2004 'Për masën dhe mënyrën e kompensimit të qerasë së banesës për ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë" i njeh të drejtën për të përfituar kompensim qeraje tre kategori ushtarakësh: oficerët, nënoficerët dhe ushtarët profesionistë", saktësohej në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Në vijim AP-ja pohonte se urdhri i nxjerrë nga ministri në bazë të kësaj VKM-je, nuk i përfshinte të tre kategoritë. "Urdhri nr. 953, datë 06.07.2009 që ju keni nxjerrë në bazë dhe për zbatim të V.K.M-së të lartpërmendur, në pikën 1 të tij, përcakton si përfitues të qerasë së banesës vetëm oficerët dhe nuk përfshin nënoficerët dhe ushtarët profesionist siç parashikohet në V.K.M-në e mësipërme", thuhet në rekomandim. Në përfundim Avokati i Popullit në detyrë, Riza Poda, rekomandon: "Në Urdhrin nr.953, datë 06.07.2009 'Për kompensimin e qerasë së banesës për ushtarakët e forcave të armatosura në Republikën e Shqipërisë', në pikën 1 pas fjalës 'oficerët' të shtohen dhe fjalët 'nënoficerët dhe ushtarët profesionistë'". Gjithashtu AP-ja kërkon që në urdhrin e vitit 2010 për kompensimin e qerasë së ushtarakëve të përshihen të tre kategoritë.Për shkak të lëvizjes në rrethe të ndryshme për pëmbushjen e detyrës, ushtarakët detyrohen të strehohen personalisht ose bashkë me familjen në banesa me qera.

3 kategori
ushtarakësh: oficerët, nënoficerët dhe ushtarët profesionistë përfitojnë të drejtën e kompensimit të qerasë së banesës në bazë të një VKM nr. 479, datë 08.04.2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›