E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ju rrëfej ditët kur shoqëroja pilotin amerikan që u ul në Rinas në ‘57"



afrim imaj

Ishte mesdita e 23 dhjetorit ‘57, kur në Rinas krejt befasisht u ul një avion ushtarak amerikan. Fillimisht lajmi u bë i njohur për zyrtarët e lartë, mandej sipas porosisë së tyre, u adresua te njerëzit e shërbimeve sekrete.Në çastet e para ngjarja u vlerësua si një histori spiunazhi, por nga hetimet intensive nuk rezultoi e tillë. Pastaj, “robi” i zbritur nga qielli, si zogu shtegtar i përplasur nga furtuna në një terren të panjohur, u shfrytëzua për të siguruar të dhëna rreth aviacionit luftarak amerikan. Të paktën kështu është fiksuar në kujtesën e njërit prej ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, që ato ditë shoqëronte nga afër “mysafirin” e ardhur pa ftuar. “Në fakt, kujton 85-vjeçari Myftar Thana, piloti amerikan që zbriti pa autorizim në Rinas, hetohej njëherazi nga sigurimi i shtetit dhe zbulimi i ushtrisë”. Në takimet me të, Nevzat Haznedarit ish kreu i hetuesisë këmbëngulte për të zbardhur misionin agjenturor “të njeriut të CIA-s” në Shqipëri. Sakaq, pohon Thana, dhomën e fshehtë ku mbahej piloti amerikan, e vizitonte shpesh drejtori i zbulimit ushtarak, gjeneral Vehbi Hoxha, i cili interesohej për të dhënat më të fundit për aviacionin ushtarak amerikan dhe bazat e NATO-s në Europë.
Pas kaq dekadash nga kjo histori, ish zbuluesi i Ministrisë së Brendshme veçon sjelljen njerëzore të Curran dhe sidomos lutjet për të lajmëruar vendndodhjen e tij. Më shumë se për procedurë, shton 85-vjeçari Thana, kishte dhe një arsye tjetër në kërkesën për të njoftuar se ishte ulur në Shqipëri. Pas kaq orësh që kam humbur kontaktin me qendrën, thoshte piloti amerikan, më dinë të zhdukur, e kjo do më traumatizojë fëmijët. Duke ju referuar bisedës me të, Thana kujton se Curran muajt e fundit kishte humbur bashkëshorten, dhe tre fëmijët i mbante në një qendër sociale në Francë....

Zoti Miftar! Në librin që keni botuar së fundi, ndër të tjera përshkruani historinë e pilotit amerikan që u ul në Rinas në vitin 1957. Në çfarë rrethanash jeni bërë pjesë e kësaj ngjarje?
Ka qenë fundi i dhjetorit të vitit 1957. Në atë kohë, unë isha oficer i Ministrisë së Brendshme. Sa u bë i ditur, lajmi për uljen e një avioni amerikan në Rinas, më urdhëruan të paraqitesha në Drejtorinë e Tiranës për të shoqëruar pilotin e tij. Ishte kjo një detyrë specifike, siç i thoshim atëherë, e cila parakuptonte sigurinë fizike të objektit, por edhe ruajtjen e fshehtësisë të procedurave ndaj tij. Kjo histori, me sa më kujtohet vazhdoi rreth dy javë. Në krye të dy javëve, piloti amerikan u riatdhesua...
çfarë keni parasysh kur thoni se ndaj pilotit amerikan u ndoqën procedura sekrete hetimi?
Në përgjithësi të gjitha proceset hetimore zhvilloheshin në kushte sekrete. Në rastin e pilotit amerikan, përveç fshehtësisë së tyre, u ruajt sekret edhe vendi ku zhvilloheshin ato. Me përjashtim të një rrethi të ngushtë njerëzish, askush nuk dinte si procedohej dhe kush merrej me hetimin e tij.
Kush ishin njerëzit që merreshin me hetimin e pilotit amerikan dhe ku u zhvillua kjo procedurë, që zgjati 15 ditë?
Fillimisht me të kontaktonte gjeneral Vehbi Hoxha, ish drejtori i zbulimit të ushtrisë dhe Edip Ohri, komandanti i aviacionit luftarak. Pra, bisedimet e para nuk kishin karakter të mirëfilltë hetimor. Ishin më shumë pyetje-përgjigje të karakterit ushtarak. Në vazhdim, u zhvilluan disa seanca nga kreu i hetuesisë, Nevzat Haznedari i cili shoqërohej nga Petrika Mushi. Veç tyre, me të takoheshim ne, dy zbuluesit që përgjigjeshim për sigurinë e tij fizike dhe një përkthyes, i cili ishte i pranishëm në çdo takim zyrtar...
Në burgun e Tiranës zhvilloheshin këto takime?
Piloti amerikan në asnjë moment nuk u trajtua si i pandehur. Ai nuk shkoi asnjëherë në mjediset e burgut apo në ndonjë qeli të izoluar. Përkundrazi. Me urdhër të eprorëve të lartë të Ministrisë së Brendshme, që ditën e parë u sistemua në një mjedis të veçantë në drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, diku te zona e Selvisë. Sipas porosisë së autoriteteve, u përshtat për këtë qëllim zyra e zëvendësdrejtorit. Aty iu siguruan të gjitha kushtet e nevojshme që nga krevati, dollapi, tavolina e punës e deri te tualeti. Pajisjet dhe të gjitha rrobat u blenë të reja. U krijuan kushte më se normale. Në këtë dhomë, piloti amerikan ndenji rreth tetë ditë. Më pas e çuam në një ndërtesë në Durrës afër plazhit...
Ju thoni se nuk ishte shpallur i pandehur, sakaq pohoni se hetohej njëherazi nga shërbimi inteligjent i ushtrisë dhe hetuesia e përgjithshme...
E para, pilotit amerikan asnjëherë nuk ju vunë prangat dhe në asnjë rrethanë nuk ju lexua ndonjë akuzë konkrete. Takimet zyrtare me të, kryesisht kishin karakter sqarues për të mësuar arsyet e vërteta si u gjend ai në Rinas. Më shumë se kaq, drejtori i zbulimit të ushtrisë mundohej ta shfrytëzonte këtë rast për të siguruar të dhëna sekrete për bazat ushtarake amerikane në Ballkan. Nga ana tjetër, komandanti i aviacionit, duke operuar në këtë linjë, interesohej për teknologjitë e reja të avionëve perëndimor dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Pak a shumë, takimet me eprorët ushtarakë, u ngjanin atyre me robërit e luftës, të cilët vlerësohen si një rast fatlum për sigurimin e të dhënave për kundërshtarin. Asokohe Lufta e Ftohtë ishte realitet prezent dhe shumë i ndjeshëm në opinion. Sa për hetimet që bënte Nevzat Hazdenari, në emër të Prokurorisë së Përgjithshme, ato plotësonin kuadrin e procedurave zyrtare që zbatohen në të tilla raste...
Si e shpjegonte piloti amerikan uljen e pa paralajmëruar në aeroportin e Rinasit?
Ai tregonte se ishte nisur nga një bazë ushtarake e Francës, për të shkuar në Napoli të Italisë. Aty e kishin thirrur si një nga inxhinierët me përvojë të aviacionit luftarak amerikan, për të kontrolluar një aeroplan të porsa riparuar, tek i cili diçka nuk shkonte normalisht. Kishte fluturuar për disa orë dhe kur ndodhej mbi zonën e Torinos, i ishte prishur radioja e komunikimit. Kjo, por dhe moti i keq me furtunë e shi të rrëmbyeshëm, ishte bërë shkak për të humbur drejtimin. Në përpjekje për t’u orientuar kishte vazhduar pilotimin dhe duke kujtuar se ishte në hapësirën e Italisë, zbriti në aeroportin e Rinasit. Këtë variant, madje pikë për pikë, e pohonte në të gjitha rastet që i kërkohej nga zyrtarët shqiptar. Në fakt, nga mënyra si rrëfente dukej bindës dhe nuk të linte të dyshoje...
Kur e kishte konstatuar piloti amerikan se ishte ulur në Rinas dhe jo në aeroportin italian?
Këtë e kishte konstatuar vetëm kur zbriti në tokë. Yjet e kapeleve të ushtarakëve që mu afruan të parët sa dola nga kabina, tregonte ai, më bindën se isha jashtë destinacionit, madje aty për aty mora vesh se isha në një vend Lindor. Në kontaktin e parë me rojet e aeroportit, kishte mësuar se ishte ulur në Shqipëri. Pastaj si mysafir i ardhur pa ftuar, kishte kujtuar për vendasit përmbajtjen e konventës ndërkombëtare për raste të tilla...
çfarë mbani mend nga komunikimi që bënit drejtpërdrejt me të?
Ne komunikonim me të për gjëra të përgjithshme, më së shumti për probleme të kushteve të jetesës. Sa herë parashikoheshin takime me zyrtarë të ndryshëm, e lajmëronim për orën dhe cilësitë e vizitorit. Pak a shumë deri këtu arrinte bashkëbisedimi ynë me të. Për çështjet që ndiqte hetuesia e kishim rreptësisht të ndaluar të flisnim. Megjithatë, ai shfaqej shumë miqësor me ne, na pyeste për shëndetin, për familjen, për fëmijët, traditat etj...
Pra në një farë mënyre arritët të familjarizoheni me të...
Në atë kohë as mund të mendohej një familjaritet i tillë me një të huaj, që gjithsesi dyshohej për veprimtari spiunazhi në Shqipëri. Të konstatohej diçka e tillë nga organet eprore, pasojat ishin tepër të rënda. Gjithsesi, ai nga dita e parë dhe deri në fund, mbeti tepër njerëzor me ne. Bile, bile, sjellja pa kurrfarë kompleksi, herë-herë na krijonte përshtypjen e një njeriu naiv, ndërkohë që dyshonim se pas kësaj fasade mund të fshihej agjenti i regjur i CIA-s...
Megjithatë, a keni ndonjë mbresë të veçantë nga bisedat me të?
Mbaj mend kërkesën e parë që bëri sa u takua me zyrtarët e Ministrisë së Brendshme. Ju lutem, tha, vini në dijeni autoritetet për vendndodhjen time dhe përmendi rregullin e detyrës për raste të kësaj natyre. Në një farë mënyre, këtë e parashtroi si kusht për të shpjeguar rrethanat si u gjend pa paralajmëruar në Shqipëri. Nuk më kujtohet si u operua aty për aty me këtë kërkesë, por më vonë mësova se lajmërimi për vendndodhjen e tij, u zvarrit disa ditë. Më shumë se për procedurë, piloti amerikan kishte dhe një arsye tjetër që këmbëngulte për të njoftuar se ishte ulur në Shqipëri. Pas kaq orësh që kam humbur kontaktin me qendrën, thoshte ai, më dinë të zhdukur, e kjo do më traumatizojë fëmijët. Në fakt, Komanda e NATO-s, duke llogaritur kohën e qëndrimit në ajër, e kishte shpallur të humbur. Pikërisht në këtë moment kam shquar dy pika loti në faqet e Curran. Atë ditë na shpjegoi se kishte tre fëmijë dhe i kishte sistemuar në një qendër sociale në qytetin e Francës ku banonte, pasi vetëm para disa muajsh i kishte vdekur e shoqja.
vijon nesër...

Raporti nga Rinasi: Avionin amerikan e ulën pilotët tanë

Në informacionin luftarak të Shtabit të Përgjithshëm të datës 23 dhjetor 1957, ulja e pa lajmëruar e avionit ushtarak amerikan në Rinas, cilësohet si vepër heroike e pilotëve shqiptarë. “Porsa u konstatua shkelja e hapësirës ajrore nga një avion i huaj, shkruhet në të, Vendkomanda Qendrore dhe Mbrojtja Kundërajrore ngritën çiftin roje për kapjen e objektit shkelës dhe e drejtuan atë në drejtim të Tiranës. Në orën 13:50, gjuajtësit në ajër raportuan se kishin diktuar aeroplanin e huaj mbi rajonin e aerodromit Rinas, në lartësinë 150-200 m dhe në këtë rast bllokuan aerodromin, për të mos lejuar ngritjen e aeroplanit shkelës. Avioni i tipit T-33 ka shenja dalluese të forcave ushtarake ajrore amerikane dhe pilotohet nga Howard Joseph Curran, i cili bën pjesë në Komandën Qendrore të forcave të NATO-s në Francë”. Më tej, në raportin e eprorëve ushtarakë përshkruhet gjendja e mirë e aeroplanit shkelës (me përjashtim të gomës së majtë të dëmtuar gjatë uljes) dhe reagimet e para të pilotit Howard Curran, i cili ka pohuar se është gjendur në Rinas, pasi ka humbur orientimin gjatë fluturimit nga Franca për në Napoli të Italisë. Në dosjen për ngjarjen e 23 dhjetorit ’57, të klasifikuar “e jashtëzakonshme” ky dokument është koleksionuar i pari. Sakaq me dhjetëra relacione, deponime e deklarata të ndryshme të arshivuara në të, plotësojnë procedurën e ndjekur në rastin e pilotit të kapur rob në Rinas. Të tjera dokumente pastaj i referohen mënyrës si u veprua me avionin e huaj, i cili u vendos në pjesën më të dukshme të muzeut të armëve në kalanë e Gjirokastrës.

neser do te lexoni

Rrëfimi i përkthyesit: Hetimet me “robin” e Rinasit i drejtonte atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë
Dialogët e pilotit amerikan me shefin e hetuesisë komuniste Nevzat Haznedari
çfarë fshihej pas interesimit të autoriteteve të Tiranës për gjendjen e bazave të NATO-s në Europë.
“është gjallë apo i zhdukur” - Dilema e lajmeve të para të agjencive perëndimore për fatin e pilotit Curran

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›