E Diel, 1 Nëntor 2026

Koshtunica pranon: Qeveria në krizë të thellë

• Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka pranuar dje se qeveria serbe është në krizë të thellë, duke sinjalizuar potencialin e lartë për shkrirjen e saj. Kreu i qeverisë serbe tha se nuk iu beson më ministrave pro evropianë të qeverisë së tij, duke lënë të kuptohet qartë shpërbërjen e kabinetit, transmeton AP. Vojisllav Koshtunica ka akuzuar ministrat pro perëndimorë se kanë dështuar në mbështetjen e përpjekjeve të tij për ta mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë. Kreu radikal i qeverisë serbe këmbënguli se Serbia nuk mund “t’i bashkëngjitet BE-së, përderisa vendet anëtare të bllokut nuk i tërheqin vendimet e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Partitë pro evropiane në koalicionin qeverisës thonë se e ardhmja e Serbisë nuk do të duhej të varet nga statusi i Kosovës. Koshtunica këmbëngul se ky qëndrim i tyre tregon një mungesë dëshire për të luftuar të mbajnë Kosovën brenda kufijve të Serbisë dhe për të pranuar një realitet të papranueshëm. Deklarata e Koshtunicës konfirmon atë që shumë analistë ndërkombëtarë kishin parashikuar për Serbinë. Qëndrimet e liderit të qeverisë dhe kreut të shtetit serb janë të kundërta për sa i përket mënyrës për të arritur objektivat kryesore: Kosovën dhe BE-në. Koshtunica shumë herë ka bërë thirrje që Serbia të heqë dorë nga anëtarësimi në BE, derisa të gjitha vendet e unionit të tërheqin deklaratat e tyre që pranojnë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës prej saj. Për këtë partia e tij paraqiti një projektrezolutë në parlament, e cila për shkak se kaloi më parë në vlerësimin e qeverisë me shumicën e ministrave pro evropianë, dështoi. Deklarata e Koshtunicës erdhi fill pas dështimit të këtij plani, i cili do ta izolonte më shumë Serbinë, duke e lënë të vetmuar në varësi të plotë të Rusisë. Partia Demokratike pro evropiane e Tadiç dhe G17-Plus e kundërshtuan planin e Koshtunicës. Kjo thelloi edhe më tej hendekun mes tyre. Parashikohet që kabineti serb të shpërbëhet brenda pak kohësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›