E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na duhet Artisti i kohës?!



Aktori shqiptar nga Maqedonia, Mentor Zyberaj, që njihet në të gjitha trevat shqiptare si më ndër aktivët, me pjesëmarrjen e tij në të gjitha festivalet mbarëshqiptare në Korçë, në Fier, Elbasan, Gjilan, Prishtinë dhe së fundi në festivalin e parë mbarëshqiptar në Suharekë - ka krijuar fenomenin. Është artist i kohës që ngre pyetjen më të fuqishme; se me çfarë duhet të merret aktori i kohës. Duke iu referuar shtyllave të historisë së teatrit, Zyberaj kërkon si kolegët e tij të dalë jashtë teatrove të mëdhenj, të jetë aktori i skenës së vogël, ta gjeneralizojë historinë e tij, gjë që i ka dhënë edhe çmimin e UNESCO-s. Në intervistën për “standard”, ai tregon se çfarë i duhet teatrit tonë, pse politika duhet të jetë larg mendësisë dhe detyrave artistike të aktorit të sotëm.

Në të gjitha trevat shqiptare, ju jeni rasti i parë që interpretoni me autorësi të trefishtë; si dramaturg, regjisor dhe aktor. Çfarë ju ka shtyrë drejt këtij impenjimi?

Kjo nuk është hera e parë, jam shfaqur me autorësi të trefishtë në festivalin ndërkombëtar të monodramës në Korçë, para tre vitesh, me shfaqjen “Kronisti i të vrarëve”, ku kam qenë po ashtu ideator, sepse aty nuk ka tekst. Para dy vitesh në të njëjtën skenë kam marrë pjesë nga Kosova me shfaqjen “Ëndrra e fundit”, ku jam po ashtu aktor, regjisor dhe autor, ndërsa në “Dita e fundit e një të zhdukuri”, me të cilën kam marrë çmimin e UNESCO-s, në kuadrin e bashkimit ndërkombëtar të monodramave. Ndërsa “Aktori në kuti” është shfaqja e tretë, monoperformanca ku jam autor, regjisor dhe aktor, me të cilën kam marrë pjesë në katër festivale, me tre çmime të mëdha ndërkombëtare. Pos kësaj, kam ftesa për katër festivale të tjera, e vlerësuar për temën dhe idenë jashtëzakonisht provokuese të realizimit të kësaj shfaqjeje. Pse po i bëj këto, pse nxitem në gjithë këtë impenjim?! Mendoj se kështu mund t’i them më mirë mesazhet tona, jo vetëm për shoqërinë kosovare dhe shqiptare, por për njerëzimin. I shoh problemet nga më konkretet dhe gjeneralizohen, ku ballafaqohet ky problem i aktorit, i cili lë teatrin nacional dhe bëhet aktor i rrugës, duke gjetur një mbështetje. Kjo do të thotë se tema është gjeneralizuar aq shumë saqë njëra nga regjisoret bullgare, Nevena Miteva, ngre pyetjen se çfarë do të bëhet me aktorin pas 20 vitesh, duke u nisur nga kjo formë. Ose në Ukrainë, ku vlerësohet shumë ideja pse një aktor nacional i një skene shumë të madhe bëhet një aktor i një kutie kaq të vogël, gjë që, për ta, ka qenë një provokim shumë i madh. Ky ka qenë shkak që edhe një aktor në Ukrainë të ngrihet e të thotë se po kështu i kishte ndodhur në Kiev, kishte dalë nga Teatri Kombëtar dhe ishte kthyer në aktor të skenës së vogël, duke pasur shumë sukses. Mesazhet si artist i kohës, mendoj se ia kemi borxh njerëzimit për t’ia thënë, mirëpo rruga ime është pak më origjinale. Këto kanë qenë arsyet e impenjimit tim në këtë autorësi të trefishtë në teatër.

Më intereson “Aktori në kuti”, a kemi të bëjmë vërtet me fatin e aktorit, si mishërim në vepër, apo është një shterim i veprave dhe eksperimenteve regjisoriale në teatrin e madh, atë nacional, prej të cilit ju ikni?

Kjo ka kuptim pak më të gjerë dhe nuk ka të bëjë me rastin social. Kemi edhe segmente të tjera ku rastet sociale ballafaqohen. Nëse do isha rast social, atëherë do më duhej të ndërroj profesionin, por kemi të bëjmë me një gjë shumë më të shenjtë. Ky aktori në kuti e di gjenezën e vet, e di historinë e tij, rrjedhën e kulturës dhe teatrit, e di që ka pasur nëpër amfiteatër më të vjetra të lashtësisë, ndoshta deri te pellazgët - ku në një skenë thuhet se, ndoshta ua kemi falur historinë të tjerëve. Nga ky aspekt shohim se rruga e vetme që ky aktor ta thotë fjalën e vet nëpër botë, është që të jetë aktor i lirë. Mos të jetë i trysnuar prej politikës ditore, ku secili drejtor që vjen nga ndërrimi i partive dhe pushtetit të ndërrojë varësisht, të imponojë, apo të ndryshojë zhanrin, stilin, lojën, formën, temën etj. Kështu që, kjo është një pavarësi shumë e madhe e artistit, që ta thotë një artist në kohën dhe hapësirën e vet. Unë nuk kam qenë kurrë servil i asnjë kulture, populli dhe asnjë artisti tjetër në botë - ku kam qenë i barabartë sepse kulturën, artin dhe historinë time e njoh shumë mirë dhe dua ta prezantoj aty ku duhet ta them. Ne iu takojmë skenave antike, sepse skenat antike kanë dalë prej nesh. Kështu që, iu kam kushtuar kësaj pune dhe ndoshta mund ta kem penguar dikë, sepse kam thënë se historinë ua kemi falur të tjerëve. Mirëpo besoj se nëse kthehemi në histori vërtet që shumë gjëra ua kemi falur të tjerëve.

A është kjo edhe një kërkesë e aktorit për pavarësi estetike nga regjisorët që vetëquhen mbretër të skenës?

Në një nga festivalet që kam marrë pjesë, në Fier, po ashtu edhe në Dibër, po me këta kritikë, të cilët gjenden dhe në Suharekë, kemi pasur një ballafaqim kur është folur se vërtet kolosët e shkrimtarëve që shkruajnë për skenën, personazhet e të cilëve unë i luaj, - thonë, pra, se pa këta shkrimtarë nuk ka asgjë. Vërtet është ashtu, unë kam mbaruar shkollën dhe jam edhe pedagog, kam kaluar gjithë fazat; mirëpo shtrohet pyetja: ata kolosë të shkrimit, si janë bërë?! Ata kanë shkruar për kohën e vet, kështu që unë e çmoj shumë kohën, kur unë jetoj dhe motivet, të cilat unë i kam, për të cilat jetoj. Jam munduar që në mënyrë artistike t’i sublimoj, t’ia ofroj masës ose opinionit.

Këtu bëhet fjalë pa dyshim për Shekspirin, Çehovin, apo Molierin, prej të cilëve rimerrni teatrin deri sot, a është ky shqetësim i regjisorit për t’ju referuar këtyre shtyllave të dramaturgjisë botërore në repertorin e teatrit?

Unë pa dyshim, nuk i anashkaloj shtyllat historike të skenës dhe të artistëve të mëdhenj, as të regjisurës që kanë krijuar stile dhe zhanre të veçanta për të ardhmen. Mirëpo krahas kësaj, jam për të krijuar edhe forma të reja të lojës që kanë pasur dhe shumë artistë të tjerë në botë. Sepse atëherë shkojmë vetëm në imitim. Në një festival në Shtutgart, shfaqjet shqiptare ishin me duar në xhepa, sepse njëra i përkiste Beketit dhe tjetra autorit të njohur, Shkrelit. Dhe a e dini çfarë na thanë: pse nuk keni sjellë diçka nga kultura juaj, sepse kjo na intereson, sepse kështu ju njohim, sepse Beketin e ka çdo qytezë të realizuar si dramë. Pra duhet të mos luajmë këtë rol, sepse ne jemi shumë të evropianizuar, kemi afërsi, kemi evropianizimin tonë qoftë në kulturë dhe art, por dhe me artistë në stil. Por ne kemi jetën tonë dhe duhet t’i kthehemi artit tonë, skenës sonë pa keqardhje për të gjetur rrugët tona të punës. Këtë e them në kuptimin e plotë të fjalës, sepse kam pasur shpërblimet më të mëdha deri tani. Prandaj e kam pasur motiv dhe nuk i jam ndalur kurrë qasjes së temave tona. Unë e kam parë vetë luftën, jam ballafaquar me të dhe për këtë arsye unë nuk mund të shkruaj apo të vë në skenë Luftën e Dytë Botërore, sepse më duhet të shkruaj për luftën e vitit 1999. Për këtë kam motivet e mia, i takoj kësaj kohe, pa anashkaluar asnjë kolos.

Pikërisht duke krijuar një elips të lidhjes me to, sepse ata kanë qenë kolegë të mi, kanë qenë shëtitës, edhe ata kanë pasur probleme shumë të mëdha nganjëherë edhe politike. Ata janë dëbuar, janë kthyer varësisht prej qejfeve të diplomacisë. Prandaj me të gjithë e kam lidhur këtë pjesë, mirëpo kjo nuk u tha nga kritika.

Pra, është një keqkuptimin që i bëri kritika pjesës suaj, që nuk përcaktuan drejt dhe nuk e panë siç duhet veprën tuaj duke e marrë atë si rast social? Është ky edhe një reflektim real që ju jepni nga shfaqja për aktorin e minuar?

Unë nuk e kuptova fare pse një nga kritikët që është këtu, që më ka parë veprën, thotë që Mentori është një nga tre artistët më të mëdhenj të kohës. Kjo as nuk më lavdëron dhe as nuk më pengon, sepse e kam punën time. Mirëpo nuk duhet ta pengojë Josif Papagjonin, dhe nuk di pse në atë formë. Unë kërkoj nga kritika që të jetë konkrete, të shkruajnë për aktrimin, stilin e realizmit të një shfaqjeje dhe jo të flasë: a ka të drejtë Mentori të jetë më i mirë, i dyti apo i dhjeti, kjo e pengon kritikën duke ardhur me paragjykime, ajo nuk duhet të vijë me gjëra të paracaktuara sa i përket një shpërblimi. E rëndësishme është që ata t’i promovojnë shfaqjet dhe të jenë sa më konkretë.

Lufta që ka ndodhur në Kosovë, zhdukja e shumë njerëzve është patjetër pasojë e asaj që ju reflektoni në shfaqje, dhe ky është një moment ku tërhiqet vëmendja se duhet kemi mendjen për ta trajtuar drejt historinë. Çfarë nuk është trajtuar drejt në historinë e luftës së Kosovës, ku ju nuk keni thjesht një angazhim artistik?

Unë mendoj se nëse një shoqëri nuk merret me dy mijë njerëz, që tani për tani janë të zhdukur në Kosovë, do të kisha bërë një pyetje se: me çfarë duhet të merret tjetër një artist që i takon kësaj kohe?! Mos duhet të kaloj prej shqiptarit që të bëhem anglez apo francez? Jo, ata kanë problemet e veta dhe ne kemi tonat për t’i nxjerrë në pah në skenë, sepse mendoj se çështja e kulturës sonë shqiptare duhet të trajtohet më shumë nga vetë ne. Dhe pikërisht ky problem rrjedh edhe tek shfaqja “Ëndrra e fundit”, shfaqje që marrë çmimin UNESCO. Janë frikësuar në festivalin e Korçës, duke menduar se mos është vepër pak tendencioze sepse është dita e fundit e një të zhdukuri në Serbi, mirëpo ajo është gjeneralizuar në një mënyrë shumë të bukur, sepse të zhdukur kemi që nga antikiteti, kemi në Irak, në Iran, në Kosovë, Bosnjë, në Vietnam, edhe në Amerikë etj., mirëpo ne nuk duhet t’i ikim një të vërtete. Puna jonë si artist është se këtë të vërtetë duhet ta arranxhojmë nga ana artistike, ta bëjmë më të bukur. Mendoj se kemi bërë shumë pak për këtë të vërtetë.

Mungon dramaturgjia e shkruar për këtë pjesë të historisë?

Jo, nuk mungon teksti i shkruar, sepse kemi mjaft dramaturgë të mirë dhe skenaristë. Por duhet të stimulohen më shumë këto tema, jo vetëm të luftës, por të historisë sonë dhe kulturës.

U tha se ky nuk është mbi rolet e tua si aktor dhe krijues. Ju ku e vini në karrierën tuaj këtë vepër?

Deri tani kam mbi 50 role në teatër dhe film. Unë mendoj se është një nga rolet më të mira, them kështu sepse e mira nuk ka fund. Por është një nga rolet që është realizuar -pasi të realizohen pesë personazhe, në atë kohë, me një motiv të tillë me një temë origjinale të pahuazuar nga askush, mendoj se kjo duhej të ishte pikësynim i kritikëve, dhe jo se çfarë do të kishte bërë ai krijues apo ndonjë tjetër.

Jeni aktori më aktiv që keni marrë pjesë pothuaj në të gjitha festivalet në Shqipëri dhe Kosovë, çfarë mendoni se nuk shkon në marrëdhënien, komunikimin e teatrit dhe çfarë është më e lehtësuar tani?

Këto dhjetë vjet, ndoshta jam ndër krijuesit më të rinj që kam marrë pjesë edhe si aktor, regjisor e autor në Fier, me tri edicione, në Korçë me tri edicione, në festivalin e monodramës në Tiranë, në Elbasan, Dibër, Shkup, Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë. Në këto vite kam qenë prezent, ku vazhdimisht kam pasur fatin të takoj artistët më të mirë shqiptarë, jemi bërë miq - mirëpo jemi bërë miq të kujdesit ndaj njëri-tjetrit, të respektit të zhvillimit të artit dhe kulturës. Ndër ta mund të përmend Margarita Xhepën, Tinka Kurtin, Drita Pelingun etj., të cilat në të gjitha festivalet janë marrë me mua, sepse më herët kam qenë shumë i ri dhe ndoshta dora e tyre, kritika dhe vlerësimet kanë bërë që të kem sukseset e realizuara këto vitet e fundit.

Festivali i Suharekës ka një domethënie që shënon fazën e parë të krijimit, që do kurorëzohet me çmimin e Pavarësisë, ju mendoni se ky festival është në momentin e duhur, kohën e duhur politikisht dhe artistikisht?

Unë mendoj se ideja për festivale është shumë e mirë. Mendoj se kemi pak festivale të cilat mund t’i zhvillojnë në forma, kondita e koncepte të ndryshme, kjo sa i përket pavarësisë, ndoshta për shkak të datës. Por edhe më shumë më ka pëlqyer kur është thirrur trupa nga Vlora, e cila është pikërisht më 16 dhe përfundon më 17 shkurt, dita kur ndahen çmimet, por edhe festohet. Kështu që pa hezitim kam pranuar të jem pjesë e këtij festivali, siç kam pranuar të jem pjesë e festivaleve të tjera mbarëshqiptare pa bërë dallim se çfarë vlere ka.

Kemi shumë festivale, në Shqipëri janë ndërkombëtare e në Kosovë mbarëkombëtare, mendoni se ka një përvojë ballafaqimesh teatrore nga të dyja vendet, si i shikoni këto brenda nesh dhe përballë të huajve?

Dramaturgjia në Kosovë është shumë më konstruktive si dramaturgji kombëtare, jo kosovare. Kjo ka qenë mjaft më e avancuar në Kosovë. Si mungesë e drejtimit të dramaturgjisë, kjo ka qenë një vrimë e zbrazët, pak, brenda trojeve të Shqipërisë për shkak se fakulteti nuk e ka pas këtë drejtim. Kështu që edhe kjo mund të ketë ndikuar, mirëpo në Shqipëri u është dhënë më tepër veprave, sepse atje ka vazhduar një traditë, pasi ka pasur teatrin shumë më të madh se Kosovë, po ashtu edhe me aktorë të mëdhenj. Por Shqipërisë i mungon dramaturgjia kombëtare. E them këtë me të drejtë, sepse kam marrë pjesë në shumë festivale, e kam thënë edhe nëpër media. Në Kosovë duhet të zhvillohet më konkretisht dramaturgjia kombëtare edhe pse është në numër dhe në sasi pak më e madhe. Në pjesëmarrjen dhe kontekstet e tjera ndërkombëtare, mendoj se çdo kund prezantimi ka qenë shumë i denjë, në projektet tona, qoftë me shtëpinë filmike që unë udhëheq apo me teatrin kombëtar të Prishtinës, Dodonën apo të tjera. Kjo ka krijuar një provokim shumë të madh, gjë që nuk ka ndikuar absolutisht edhe pse kemi pasur disa ngecje kohore më shumë, apo këto problemet politike. Mendoj se në këtë aspekt ne nuk duhet të kemi kurrfarë dileme. Ne duhet të jemi më konkretë, të investojmë më shumë në art dhe kulturë, t’i stimulojmë njerëzit që punojnë, që të mos pengohen nga dikush tjetër, dhe besoj që në këtë mënyrë mbas një kohe, nëse ka plane afatgjate, kombëtare dhe kjo është me shumë rëndësi, mund të realizojmë festivale të përbashkëta edhe vepra të përbashkëta që ma merr mendja do ta tronditim skenën ndërkombëtare.

Kam vënë re qoftë në mbrëmjen e parë të shfaqjes, përmendet portreti juaj si ndërhyrje në mes filmit dhe teatrit. Ju jeni aktor filmi por dhe teatri, brenda jush kur krijohen këto raporte, çfarë ndodh?

Ky është një mendim i dikujt tjetër, pikërisht i një prej njerëzve të kritikës, që u tha për shkak se nuk i kanë parë të gjitha veprat, dhe po ashtu nuk i kanë parë të gjitha filmat që kam realizuar. Unë mendoj se ky boshllëk është edhe i formës së vjetër klasike, ku kërkojnë që aktori ndonjëherë të jetë edhe patetik. Loja normale ndonjëherë pengon në skenë dhe ajo është më se e vërtetë për shkak se punoj edhe si pedagog edhe në Fakultetin e Arteve, dhe 24 orë më duken pak nëse ia kushtoj kësaj pune. Absolutisht nuk kam të drejtë me këtë që po them, sepse loja në film është krejt formë dhe teknikë tjetër, dhe në teatër diçka krejt tjetër. Mund të mos dëgjohet një batutë, në rreshtin e 12-të, mirëpo nuk më ka ndodh në Ukrainë që të mos dëgjohet kjo batutë. Mund të ketë probleme teknike dhe sa i përket akustikës, mirëpo për asnjë moment nuk kam dashur të sforcoj artin tim me tonalitet, për shkak se jemi në një festival. Është e drejta ime të luaj në atë formë, flet personazhi në atë aspekt, dhe jo Mentori, në ato format normale, ato pëshpërima, jam munduar që të dëgjohen në sallë, por dikush mund të ketë dhe ndonjë problem me veshët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›