Gërdeci, PS-LSI përplasen te Berisha
ADI SHKEMBI
Partitë opozitare përkujtojnë sot njëvjetorin e shpërthimit tragjik të Gërdecit, i cili i mori jetën 26 personave. Por megjithëse PS dhe LSI do të zhvillojnë protesta në orare dhe vende të ndryshme, ato mund të përplasen pikërisht përballë selisë së Kryeministrisë. Marshimi i koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste do të nisë pikërisht nga krateri ku në 15 mars 2008 shpërtheu fabrika e demontimit dhe pas disa ndalesash për mbi gjashtë orë turma do të jetë përballë godinës së kreut të qeverisë, ndërsa nga ana tjetër LSI-ja me aleatët e saj do të nisin protestën te Korpusi universitar dhe më pas nën sloganin “Berisha ik” do të gjenden edhe ata përballë Kryeministrisë.
Skema e PS
Marshimi disa orësh i Partisë Socialiste, në kujtim të viktimave të tragjedisë së Gërdecit nis pikërisht në këtë vend. Burime pranë grupit të punës, që është marrë me hartimin e skemës së ditës së sotme bëjnë të ditur për gazetën se në orën 12.00 krerët e partive, por dhe mbështetës të tyre do të mblidhen në kraterin e shpërthimit të Gërdecit, atje ku humbën jetën 26 vetë dhe më pas vala goditëse plagosi 300 të tjerë. 20 minuta më vonë, në 12:20, orë në të cilën ndodhi dhe shpërthimi i parë i tragjedisë nën tingujt e muzikës funebre, që do të interpretohet nga banda frymore do të mbahet 1 minutë heshtje, ndërsa anëtarë të shoqatës “Gërdeci”, banorë të këtij fshati dhe familjarë të viktimave pritet që të shprehin dhimbjen e tyre, por dhe atë që ata kanë përjetuar në këta 12 muaj pas tragjedisë. Organizatorët bëjnë të ditur se me qindra trëndafila do të hidhen në kraterin gjigant, që shkaktoi shpërthimi i fabrikës së çmontimit të municioneve, ndërsa ai do të jetë i rrethuar me flamuj të mëdhenj kombëtarë, për të krijuar në këtë mënyrë dhe një rreth gjigant. Pas ceremonisë pranë kraterit të shpërthimit, marshimi do të ndalet në qytezën e Vorës, në afërsi të Gërdecit. Vullnetarët e PS-së, qytetarë, sportistë, do të nisen në një stafetë vrapimi, ku do të ndërrohen çdo 2 km metra për të shkuar deri në sheshin “Skënderbej”. Nga ana tjetër liderët e partive dhe shoqatave që do të marrin pjesë në marshim, do të bashkohen me vullnetarët pikërisht në segmentin e fundit përpara se të shkojnë në sheshin “Skënderbej” dhe që sipas organizatorëve është te Zogu i Zi. Më pas të gjithë pjesëmarrësit do të drejtohen në sheshin kryesor të kryeqytetit, ku do të mbahen disa fjalime për të pranishmit që kanë ndjekur nga afër marshimin. Megjithatë, organizatorët nuk bëjnë të ditur nëse kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama do të flasë në sheshin “Skënderbej” apo përballë godinës së Kryeministrisë, që do të jetë edhe pika e fundit e marshimit të 15 marsit.
Skema e LSI
Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë një tjetër skenar për protestën e sotme në kujtim të 26 viktimave, që humbën jetën nga shpërthimi tragjik i Gërdecit. Kështu, përkrahësit e kësaj partie, por edhe të disa forcave të tjera politike dhe shoqatave do të bashkohen në pranë Korpusit universitar në orën 16.30 minuta. Më pas, të gjithë pjesëmarrësit nën drejtimin e krerëve të kësaj proteste do të lëvizin drejt bulevardit kryesor për t’u ndalur pikërisht përballë godinës së Kryeministrisë. Pak orë para protestës së LSI-së në këtë vend do të ngrihet një podium nga i cili do të flasin me radhë, kreu i LSI-së, Ilir Meta si dhe të gjithë drejtuesit e partive dhe shoqatave që do të marrin pjesë në këtë protestë. Slogani kryesor nën të cilin do të protestohet ditën e sotme është pikërisht “Berisha ik”, ndërkohë që gjatë gjithë protestës do të hidhen edhe parulla të tjera si: “Berisha ik sot se nesër është vonë”. Kreu i LSI-së, Ilir Meta i parapriu dy ditë më parë protestës, me një vizitë në Gërdec. “Jemi sot këtu për të shprehur dhe një herë tjetër denoncimin tonë për gjithë atë përpjekje për të reduktuar krimin shtetëror që ndodhi në Gërdec, në një pakujdesi apo në një ngjarje të rastit dhe të gjitha përpjekjet për ta mbyllur këtë çështje. Jemi këtu për të denoncuar edhe atë bashkëpunim konsensual, i cili arriti deri aty sa pjesa më e madhe e opozitës në Parlament, nuk na dha firmat për të krijuar një Komision Hetimor parlamentar për krimin e Gërdecit. Jo vetëm kaq, por për të denoncuar të gjitha ato marrëveshje, që u bënë në këmbim të mbylljes së çështjes së Gërdecit”, theksoi Meta.