Një cenim i sferës private

Nëse më vjen nesër një i dërguar i
kryeministrisë të më pyesë se i çfarë besimi jam, unë kam për ta pyetur për
bindjet e tij politike ose sportive. Po aq sa është e mundshme një përgjigje e
tij, po aq është i mundshëm regjistrimi i bindjeve të mia fetare a shpirtërore
a ideologjike nga zyra që ai përfaqëson
Nga Ardian
Klosi
Është krejt e paqartë se kush u bë promotor për një regjistrim të popullsisë
shqiptare në bazë fesh. Disa thonë se është kërkesë e BE-së, dhe ka të bëjë
mesa duket me shanset e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizëm, të tjerë
mendojnë se kjo s'ka të bëjë aspak me komunitetin europian, sepse Europa s'mund
të shtrojë një kërkesë kaq arkaike, madje jodemokratike sa regjistrimin e një
kombi në bazë të bindjeve të tij fetare. Shkaku, vazhdojnë këta, duhet të jetë
ndonjë prapamendim ose djallëzi e qeverisë sonë, për ta nxjerrë Shqipërinë më
myslimane ose më ortodokse se ç'mendohet të jetë, për përfitime të ndryshme që
mund të kenë (ata, të qeverisë).
Nga ana tjetër është krejt e qartë, kushdo të jetë ideatori i kësaj fantazme
nga e kaluara, se projekti është i dështuar qysh në embrion. Ai nuk ka për t'u
realizuar asnjëherë, jo vetëm pse shumica e shqiptarëve janë aq të zgjuar sa
mos u japin përgjigje do të dërguarve të qeverisë (të cilët i përfytyroj si ata
djemtë e rinj, anëtarë të sekteve që vijnë rrotull nëpër Shqipëri me kostumet,
kravatat dhe fytyrat e tyre buzëqeshëse) që do të futin hundët në bindjet
personale të njërit dhe të tjetrit, por edhe për pamundësinë reale që të
gjendet disi përkatësia fetare e shqiptarëve me ndonjë rrugë tjetër.
Por para se të shpjegojmë këto pamundësi le të theksojmë disa të vërteta të
thjeshta lidhur me fetarinë ose besimet e bashkëkombësve, për të davaritur
klishetë që e ekzistojnë përgjithësisht e që përdoren sidomos nga politikanët.
Këto të vërteta pastaj vetiu shpjegojnë pse procesi i regjistrimit të
shqiptarëve në bazë feje është i dështuar qysh në kokat që e pollon.
Shqiptarët në punë besimi nuk janë të ndarë në katër, por në pesë komunitete të
mëdha. Veç komunitetit mysliman-sunit, atij mysliman-bektashi, komunitetit të
krishterë-ortodoks dhe atij të krishterë-katolik, ekziston edhe komuniteti i
mospraktiuesve të fesë. Ky komunitet i pestë në të vërtetë duhet rreshtuar i
pari, sepse është më i madh në numër se gjithë të tjerët, veç e veç, por edhe
së bashku.
Në të hyjnë të gjithë shqiptaret dhe shqiptarët me prindër laikë: komunistë,
jokomunistë por mosbesues, prindër në martese të përziera etj. Fëmijët nga këto
martesa i dallon shumë lehtë, sepse kanë emra që nuk rrjedhin nga besimet ose
historitë fetare. Madje, po të nisesh nga emrat, del në përfundimin se
shqiptarët janë populli më laik i Europës, ndoshta edhe i botës, pasi sidomos
në brezat më të rinj 90-95 për qind mbajnë ose emra ilirë, ose emra me kuptim
(Gëzim, Kujtim, Bujar, Vjollca, Shpresa etj.), ose emra heronjsh të muzikës pop
dhe të botës së filmit. Megjithatë nuk duam të marrim emrat si bazë kryesore,
sado që edhe ata flasin fare qartë për ekzistencën ose jo të përshpirtshmërisë
ose traditës fetare.
Klisheja më e zakonshme që përdorin sidomos politikanët është: Shqiptarët janë
një popull me tolerancë të madhe dhe shembull i bashkëjetesës së komuniteteve
fetare. Kjo të lë të kuptosh sikur ke të bësh me një popull të çuditshëm, tepër
të veçantë, zemërmirë, me ca grigja që jetojnë njëra në këtë tjetra në atë
lagje dhe përditë shkojnë e pinë kafe te njëri-tjetri. Mirëpo pastaj nuk e
kupton se si mund të jenë kaq jotolerantë në punë të tjera p.sh., në çështje
prone, në çështje të lirisë së tjetrit, të qetësisë së tjetrit kur ngrenë
muzikën ose u bien borive në kupë të qiellit, deri në moshapjen e rrugës kur je
në trafik, mostolerantë ndaj këmbësorëve, pemëve, kafshëve dhe zogjve etj.,
etj.
Le që ka plot shembuj mostolerance fetare në historinë tonë, të mos bëjmë kaq
si engjëj. Kur masakronte fshatra të tërë si Shën Vasilin e Nivicën Ali pashë
Tepelena e bënte këtë pikërisht në emër të epërsisë myslimane ndaj racës
qafire, po kështu kur dërrmonte suljotët. Kur digjte Voskopojën Sali Butka me
të tjerë, e bënte këtë edhe për t'u dhënë një mësim kaurëve. Në Shkodër
historikisht dasia fetare dhe mëritë e fshehura ndaj komunitetit tjetër kanë
qenë të theksuara, deri dhe sot janë të rralla martesat e përziera katolike-myslimane.
Është shumë më e saktë të themi se shqiptarët historikisht kanë qenë
pragmatistë dhe në një masë të madhe indiferentë ndaj feve. Duke jetuar në
kryqëzime rrugësh të mëdha, në kufij ndarës midis perandorive dhe besimeve të
mëdha, ata e kanë kuptuar herët se s'ka ndonjë vlerë të falesh e të vdesësh pas
flamurit të ndonjë feje, më e mira është t'u përshtatesh të fuqishmëve, qofshin
këta princër katolikë si Anzhutë, qofshin mbretër ortodoksë si Dushanët,
qofshin sundimtarë vendas si Balshajt ose Topiajt, qofshin sulltanë e vezirë
osmanë, qofshin sekretarë të përgjithshëm komunistë etj.. Ky pragmatizëm i ka
bërë, në një masë të madhe, jo-fanatikë, jo-praktikantë të zellshëm, të lehtë
për t'u konvertuar, laikë dhe një masë të madhe të paditur në punë feje.
E pra tolerantë është një shprehje e pasaktë, sepse tolerant ndaj tjetrit
njeriu është kur ka dituritë e nevojshme, kur e njeh, në rastin konkret, fenë e
tjetrit. Ndoshta duhet theksuar ky moment, i paditurisë fetare, sepse lehtë
ndodh pastaj, kur s'ke njohjen e nevojshme të krishterimit, të myslimanizmit
etj., që një numër qytetarësh bien në gjirin e sekteve të ndryshme ose e
rrymave fanatike të x-feje të madhe.
Kur pohojmë që përgjithësisht, në histori e sidomos sot, shqiptarët i dallon
pragmatizmi dhe indiferenca fetare, nuk duam të themi, përsëri, se janë ndonjë
popull i veçantë. Edhe në historinë tonë, sikurse të fqinjëve dhe popujve të
tjerë të kontinentit gjen shembuj në një devocioni të rrallë, madje martirizimi
në emër të fesë. Sakrifica e përfaqësuesve të komunitetit katolik të veriut pas
vitit 1944, aq shumë martirë në emër të besimit, është e jashtëzakonshme,
sikurse është e jashtëzakonshme ruajtja këmbëngulëse e besimit ortodoks nga
arbëreshët e Italisë për shekuj të tërë mes një mjedisi katolik. Pra, edhe teza
nacionaliste e Pashko Vasës, se feja e shqyptarit asht shqyptaria, nuk qëndron.
Toleranca fetare vërtet ekzistoi dhe funksionoi në agimin e shtetit të ri
shqiptar. Kjo ishte një meritë e veçantë e përfaqësuesve më të rëndësishëm të
katër komuniteteve fetare të vendit. Por, me marrjen e pushtetit nga
komunistët, kjo tolerancë e humbi kuptimin, pasi në rend të ditës u ngjit
intoleranca ndaj çdo lloj feje tjetër që nuk ishte feja komuniste. Natyrisht që
Enver Hoxhës ia lehtësoi punën e unifikimit të kombit sipas trekëndëshit të
famshëm mësim-prodhim-stërvitje ushtarake, edhe pragmatizmi dhe indiferenca e
pjesës më të madhe të shqiptarëve në çështje feje. Jo se i ktheu ata kollaj në
komunistë, por se regjimi i tij ia hoqi për 45 vjet me radhë shumicën e
kujtimeve dhe reminishencave besimtare.
Pa dyshim është për t'u lëvduar puna e komuniteteve më të rëndësishme të vendit
pas vitit 1990 për të rimëkëmbur sa më shumë nga trualli i humbur pas një
traume gjysmëshekullore. Se ç'fryte do të japë puna e tyre, se ç'raporte fetare
do të dallojnë shqiptarët në të ardhmen, kjo ndoshta do dhjetëvjeçarë të
konstatohet. Por le të jemi të sinqertë dhe realistë: Shqipëria e
fillimshekullit 21 është krejt e ndryshme nga Shqipëria e fillimshekullit 20.
Nuk mund të përdorësh sot një retorikë që mund t'i shkonte Sulejman Delvinës,
Imzot Bumçit dhe at Theofan Nolit. Nuk mund të flasin nga mëngjesi në darkë për
tolerancë fetare dhe të bëjnë vizitat e tyre hipokrite nëpër komunitete ditët e
festave, duke u hequr si besimtarë dhe tolerantë, do politikanë që vijnë
thjesht nga komunizmi dhe që nuk njohin ndonjë dogmë tjetër. E pastaj të
kërkojnë të na regjistrojnë në bazë fesh.
Duke qenë që shumica e shqiptarëve janë jopraktikantë, duke qenë që ata nuk
janë të regjistruar në ndonjë nga komunitetet kryesore fetare të vendit, nuk
paguajnë taksa dhe nuk japin kontribute për to, çështja se çfarë besojnë së
brendshmi është çështje krejt private dhe askush nuk ka të drejtë t'i pyesë për
to. Ndërhyrja në këto çështje është cenim i sferës private. Në Gjermani p.sh.,
dihet se sa qytetarë janë protestantë dhe sa janë katolikë vetëm në bazë të
regjistrave tatimorë, pasi anëtari i një komuniteti fetar paguan njëkohësisht
taksën për kishën përkatëse. Ndërsa pjesa tjetër - nëse është e besimit budist,
bahai a kushedi çfarë, nuk është e regjistruar dhe s'mund të jetë.
Nëse më vjen nesër një i dërguar i kryeministrisë të më pyesë se i çfarë besimi
jam, unë kam për ta pyetur për bindjet e tij politike ose sportive. Po aq sa është
e mundshme një përgjigje e tij, po aq është i mundshëm regjistrimi i bindjeve
të mia fetare a shpirtërore a ideologjike nga zyra që ai përfaqëson.
(*) Pikepamjet jane personale