E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarët me ngjyrë”

Regjistrimi që do të bëjë qeveria shqiptare, natyrisht nuk ka se si të mos zgjojë edhe interesin e njërës nga pakicat më problematike për shoqërinë dhe shtetin, atë të ballkano-egjiptianëve dhe romëve apo e thënë me njëfarë etikete disi më të rrumbullt, atë të shqiptarëve me ngjyrë, të cilët për nga numericiteti janë natyrisht dy nga grupimet më të mëdha, duke e kaluar me disa herë treguesin real të minoritarëve grekë në Shqipëri.
Së pari, duhet të hedh pak dritë mbi atë që njëri nga përfaqësuesit e qeverisë e tha disi të mjegullt, që ky regjistrim nuk është se do të pasqyrohet në aktet e regjistrimit të shtetasve, pra në gjendjen civile. Nëse e kam kuptuar drejt dhe tharmi i fjalës së tij është ky, atëherë që në krye do të thosha se nisja nuk është e mbarë dhe aq më tepër me interes të palëve. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë nuk ka se si të jetë dëshirë subjektive e qeverisë, njëfarë “teke” apo ku e di se çfarë. Nëse ky projekt është i nevojshëm dhe dobiprurës, atëherë të “çelen arkapiat” dhe grupet e interesuara të shfaqin mendimet e tyre haptas dhe pa ekuivokë lidhur me problematikën, mënyrën e kryerjes, efektet pozitive boshtore në favor të shtetit dhe shoqërisë, pa lënë mënjanë dhe diferencat anësore apo “qejfmbetjet”. Regjistrimi i popullatës është një event i madh që nuk bëhet shpesh. Shqipëria ka bërë ashtu si ka mundur regjistrime në Mbretërinë e A. Zogut dhe regjimi komunist u përpoq ta bënte atë në vitin 1974, ku natyrisht regjistrimi që u quajt i përgjithshëm, ishte tejet i politizuar dhe solli po aq dëme sa dhe dobi. Pra, nëse duhet regjistrimi i popullatës, le të bëhet, bile në mënyrën sa më të mirë që të jetë e mundur dhe të gjitha rezultatet që do të dalin, të gjejnë pasqyrimin e tyre real në regjistrat e gjendjes civile. Qeveria, edhe pse e thotë si me gjysmë zëri, në të vërtetë ka arsye që kërkon të merret me këtë problem. Mund të jenë shtysa të zhvillimeve të brendshme, po aq sa mund të ketë edhe diktate që vijnë në formën e propozimeve nga kancelaritë e Evropës. Por unë do të thosha se më e rëndësishme sesa këto të dyja janë përpjekjet e brishta dhe tepër modeste të kësaj qeverie (se për të kaluarat e radhës, as që bëhet fjalë!) në drejtim të integrimit qoftë edhe formal të ballkano-egjiptianëve dhe romëve. Problemi që ende mbetet në kuadrin e rebusit, pra i pazbardhur deri tani apo disi i mjegulluar, është nëse ky veprim ka në themel vullnetin e qeverisë shqiptare që t’i përmirësojë seriozisht politikat e saj për integrimin e këtyre shtresave të mëdha, që edhe pse nuk i përkasin kombit shqiptar, prania e tyre (veçanërisht e ballkano-egjiptianëve) prej dhjetëra shekujsh i ka bërë të ndihen vërtet shqiptarë. Por kjo nuk do të thotë se duke u vetëndier kështu nga ana formale hallet dhe problemet e tyre morën fund. Absolutisht jo. Popullata ballkano-egjiptiane në veçanti ka bashkëjetuar me shqiptarët që në kohërat e “qyshkurit” duke u grupuar urtësisht aty nën këmbët e kalave e duke afruar djersën dhe mundin e saj te farka e kudhra për t’u ndihmuar luftëtarëve shqiptarë në luftë me shpatat e jataganët, me heshtat e mburojat, por dhe me plugjet e parmendat, për ta punuar tokën në kohët e paqes. Rrinin aty, të urtë deri në dhembje, por të harruar nga vuajtjet, me instrumentet muzikore në duar për t’ua bërë edhe më të mirë fitoren trimave, për t’ua bërë të bukur dasmat e gëzimet e gjithsesi, për t’ua lehtësuar sipas rastit dhe diçka nga dhimbja e tyre. Prandaj ndihen po aq shqiptarë apo e thënë në një stil modern - shqiptarë me ngjyrë.
Po le të kthehemi edhe një herë te nisma e qeverisë sonë lidhur me regjistrimin e popullatës. Nga ana tjetër, duhet theksuar se qeveria nuk është OJF dhe nuk ka asnjë arsye që të shpenzojë energji njerëzore dhe shuma të konsiderueshme financiare, kur ato mund t’i përdorë në sistemimin me strehim (aq të domosdoshëm për këto pakica me probleme edhe të trashëguara), në punësimin e shtresës që unë i përkas, se vërtet nevojat e kësaj shtrese, pra të popullsisë shqiptare me ngjyrë, janë shumë të mëdha, deri dhe të thekshme, kur mendojmë se pas pak kohësh mundet të na hapet edhe dera për në Evropën demokratike e të rregulluar si s’ka më mirë.
Neve na intereson ta marrim si vullnet të lirë dhe të drejtë të qeverisë vendimin për të kryer këtë akt. Përgëzime të sinqerta për nismën, por që këndej zënë e nxjerrin kokë edhe problemet. I pari është ai mes të vërtetës dhe gënjeshtrës në të quajturin vetëdeklarim. Gjithsesi, veprimi duhet shoqëruar edhe me provat përkatëse, të cilat duhet të gjenden në aktet e ndryshme të regjistrave të gjendjes civile të trashëguara (kur është fjala për pakicat greke apo sllav-folëse) Por më e rëndësishmja për sa i përket këtij akti me përmasa të mëdha (regjistrimit të përgjithshëm të popullatës), në raport me pakicat me ngjyrë (ballkano-egjiptianë si dhe romë) është se cili do të jetë në fund të fundit përfitimi i palëve. Çfarë do t’u sjellë këtyre pakicave më të mëdha në vend ky evidentim nga ana e shtetit shqiptar? Po qe se bëhet fjalë vetëm për ca statistika të thjeshta, flakët e të cilave mund të ngrohin “disa pak duar”, kjo natyrisht nuk është e mirë dhe këtej ravijëzohet definicioni që të dyja komunitetet tona s’kanë asnjë arsye për t’u marrë me të. Nëse pas kësaj, shteti, qeveria dhe të gjitha hallkat e sistemit do të punojnë seriozisht në favor të integrimit social, ekonomik, e politiko-shoqëror, duke respektuar të gjitha konventat dhe dokumentet e tjera ku Shqipëria ka nënshkruar, kjo po, do të ishte vërtet pozitive dhe në këtë mënyrë ne nuk do të hezitonim aspak për të shprehur përkatësinë tonë. Sjellja politike e deritashme, në përgjithësi është karakterizuar nga një qëndrim mënjanues i pushtetit ekzekutiv qendror e vendor ndaj këtyre komuniteteve. Përfaqësimi në politikë, administratë shtetërore etj., në përputhje me prurjen numerike të këtyre pakicave, nuk ka funksionuar. Nuk bëhet fjalë edhe në këtë fund dekade të shekullit XXI që njerëz me ngjyrë të përfaqësohen në Parlament, duke bërë kësisoj njëfarë “diskriminimi pozitiv”, gjë që Parlamenti ynë e vuri në funksion me anën e një ligji të posaçëm, duke tagruar kësisoj përfaqësimin numerik të barazisë gjinore. Le të diskutojmë për të gjitha problemet dhe hallkat e kësaj nisme dimensionale të qeverisë sonë dhe të mos e shohim atë me syza paragjykimi, por me sinqeritet dhe mendje të qetë dhe koherencë. Ne shpresojmë se do të jemi të mirëpritur në median shqiptare, ku zëri ynë do të duhet të dëgjohet ndoshta edhe më tepër se i të tjerëve. Le të diskutojmë e në fund të bëjmë atë më të mirën.

*Kryetar i shoqatës “NEFRETA” të ballkano-egjiptianëve, Ambasador për Paqe. Projekt i Aleancës së Qytetërimeve

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›