Fjala në Kuvendin e Shqipërisë, 29 janar 2010
Pas një rrugëtimi shumë të gjatë dhe të vështirë, të ndrydhur nën diktaturën më të egër komuniste dhe të izoluar totalisht nga bota perëndimore, shqiptarët dhe Shqipëria më në fund i kanë lënë kujtimet e këqija në shekullin e kaluar dhe tashmë janë në rrugën e duhur. Por, megjithëse sot jemi anëtare të NATO-s, megjithëse sot jemi duke plotësuar pyetësorin për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe jemi në rrugën e duhur drejt integrimit në familjen evropiane, disa liderë politikë të papërgjegjshëm duan t’u kujtojnë shqiptarëve vitet e errëta të vetmisë. E kam fjalën këtu për kërkesën e Partisë Socialiste, për të ngrire kredencialet e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Një letër e tillë, në rast se nuk do të kishte datën të shkruar mbi të, farë mirë mund të ngjante me një dokument të dalë nga arkivat e shtetit të kohës së monizmit. Por nëse në Shqipërinë komuniste, letrat anonime ishin të mjaftueshme për të internuar apo dënuar qytetarët shqiptarë, sot ato nuk kanë më vlerë. Mbi të gjitha kur u drejtohen institucioneve evropiane, të cilat janë të themeluara mbi parimet e lirisë dhe demokracisë, mbi të gjitha kur i drejtohen Këshillit të Evropës, tempullit të demokracisë evropiane. Ky veprim, nuk është thjesht i papërgjegjshëm politikisht, por është mbi të gjitha anti-kombëtar, sepse kërkon de facto përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Evropës. Ky akt, është tregues i qartë i metamorfozës së Partisë Socialiste në OJQ, duke u mbështetur në shembullin e gabuar të OJQ-ve të falimentuara tashmë, të cilat dëmtonin imazhin e Shqipërisë dhe hidhnin baltë mbi vendin e tyre, veçse për të marrë disa fonde më shumë. Jam i sigurt që ky është fenomen i një grupi të vogël njerëzish në drejtimin e Partisë Socialiste, pasi nuk besoj se ka qytetarë shqiptarë, qoftë edhe votues i Partisë Socialiste, që të dëshirojë një gjë të tillë për vendin e tij dhe të hedhë baltë mbi Shqipërinë z. Rama duhet të dëgjojë zërin e arsyes dhe t’i japë fund këtij rrugëtimi pa krye që ka nisur. Këtë duhet ta bëjë, jo sepse e thonë Brukseli dhe Strasburgu, jo sepse e thonë përfaqësuesit ndërkombëtare të majtë dhe të djathtë së bashku, por sepse nuk është në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Bojkoti nuk është mënyra me të cilën punohet në Evropë dhe në botën perëndimore. Ne sot, pas vitesh të tëra mundimesh dhe peripecish në ndërtimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e demokracisë jemi më pranë realizimit të ëndrrës së kahershme të integrimit evropian. Sot, më shumë se kurrë, jemi pranë lëvizjes së lirë në hapësirën e përbashkët evropiane. Sot Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme përpara në këtë drejtim dhe po përmbush të gjitha detyrimet që lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë të bëhet realitet. Një gjë të tillë e tregon edhe deklarata e fundit e ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, se nga fillimi i kësaj vere Shqipëria do të jetë gati për t’iu bashkuar vendeve të tjera në regjimin e udhëtimit pa viza. Ndaj është koha që opozita të zërë vendin e saj në Parlament dhe të japë kontributin e saj në proceset integruese, sepse në asnjë kohë nuk duhet harruar se vota e çdo qytetari shqiptar është votë për përfaqësimin e tij në këtë Kuvend.